Përveç krerëve të Bosnje e Hercegovinës dhe Malit të Zi, ashpër kundër idesë së Hashim Thaçit dhe Aleksander Vuçiqit për korrigjim të kufijve ka dalë edhe presidenti i posa zgjedhur i Maqedonisë Veriore, Stevo Pendarovski.
Pendarovski thotë se një ide e tillë nuk i takon mendësisë së shekullit 21, duke e cilësuar si të tmerrshme. Ai thotë se nuk mund të ndodh diçka më e keqe, sesa dikush t’i qaset seriozisht implementimit të një plani të tillë për lëvizje të kufijve apo shkëmbimit të territoreve.
“Në lidhje me idenë e korrigjimit të territoreve unë jam një nga politikanët e rrallë në rajon që flas mjaftë shpesh. Unë mendoj se bëhet fjalë për ide anarkike që nuk i takon shekullit 21. Mendoj se ajo është ide e shekullit 19 ose ndoshta edhe më herët”, ka thënë Pendarovski, shkruan Gazeta Express.
Presidenti maqedonas thotë se është e papranueshme që të flitet për një ide të tillë, duke kujtuar se çfarë kishte ndodhur herën e fundit, kur fuqitë e mëdha kishin lejuar që të shkëmbeheshin territore në vitin 1923.
“Është e patolerueshme që të flitet për një ide të tmerrshme për shkëmbim të territoreve në shekullin 21. Herën e fundit një gjë e tillë ka ndodhur me mbështetjen e fuqive të mëdha para rreth një shekulli, në vitin 1923. Pyetni grekët dhe turqit se si edhe ditëve të sotme kanë pasoja nga shkëmbimi i territoreve. Nuk mund as të mendoj se mund të ndodh diçka më e keqe, se sa dikush të mendojë seriozisht t’i qaset ekzekutimit të një projekti të tillë”, ka shtuar ai.
Ai thotë se është shumë e lehtë që të bëhet një pastrim i territoreve, por potencon se duhet ruajtur multietniciteti pasi aty qëndron bukuria dhe pasuria e gjithë shteteve fqinje.
“Në botën moderne ne duhet me dialog dhe kompromis të gjejmë zgjidhje për problemet që na tangojnë. Puna më e lehtë që mund të bëni është që ta pastroni territorin nga njerëzit ndryshe nga ju ose nga unë, dhe qeverisni ata territore. Por unë mendoj se bukuria dhe pasuria e shtetit tonë dhe e gjithë shteteve fqinje multietnike, është pikërisht tek shumëllojshmëria dhe mendoj se sa më parë duhet të ndalohet me recitimin e asaj teme, po e potencoj këtë për politikanët që janë në Qeveri në shtetet fqinje”, ka shtuar Pendarovski.
Ndërkohë sa i përket mundësive për eskalim të situatës, presidenti i Maqedonisë së Veriut, thotë që gjasat për të ndodhur diçka e tillë janë minimale.