Presidenti Stevo Pendarovski pret që në fund të këtij viti ose më së voni deri në muajin e parë të vitit të ardhshëm Maqedonia e Veriut të jetë anëtare e plotë e NATO-s.
“Me hyrjen në NATO do të jemi edhe 100 përqind të mbrojtur nga konfliktet, ndërsa njohësit e çështjeve e dinë se nëse nuk ka konflikte biznesi ekonomik do të zhvillohet normal, sepse edhe gjatë konfliktit më të vogël së pari pasojat i ndjen biznesi”, ka thënë presidenti Pendarovski.
Sipas tij, nuk ka asnjë vend në botë e cila ka ekonomi të mirë, e cila nuk është pjesë në organizatat e mëdha ndërkombëtare.
Presidenti në takimin e parë me anëtarët e Odës Ekonomike të Maqedonisë theksoi se BE i ka forcuar kriteret nga viti në vit për anëtarësim në BE, gjegjësisht pas çdo anëtarësimi të vendit të ri, vendi tjetër pasues ka kaluar në kritere më të ashpra për anëtarësim.
“Pa shoqërinë e biznesit nuk do të ketë bisedime të suksesshme me Evropën, ajo duhet tërësisht të kyçet në procesin e ardhshëm të bisedimeve”, tha Pendarovski.