Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka shprehur kundërshtinë e tij të fuqishme ndaj çdo ndryshimi të kufijve në rajon kur u pyet që të komentojë mundësinë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë ide e cila është përfolur tash e disa muaj.
Këto komente, presidenti maqedonas i bëri në një konferencë për media gjatë vizitës së tij zyrtare në Slloveni, raporton Reuters.
“Kufijtë duhet të mbesin aty ku janë tani. Çdo opsion tjetër mund të krijojë efekt domino… që mund të lëndojë disa vende në rajon, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut”, ka thënë Pendarovski, duke shtuar se ndryshimet kufitare mund të çojnë edhe në konflikt të armatosur, transmeton Koha.net.
Gjatë kësaj vizite, presidenti maqedonas tha se pret që vendi i tij të bëhet anëtar i NATO-s deri në fund të këtij viti, ndërsa tha se shpreson se do të marrë edhe datën e nisjes së bisedimeve për anëtarësim në BE në muajin tetor.
“Presim që Bashkimi Evropian do të pranojë në tetor vendimin e saj për datën (e nisjes së bisedimeve për anëtarësim në BE)”, tha Pendarovski.