Pentagoni ka formuar një task-forcë që do të hulumtojë lëvizjet e UFO-ve (objekte të paidentifikuara ajrore), e që do të vëzhgohen nga ushtria amerikane, njoftuan zyrtarë të mbrojtjes.
Zëvendës Sekretari i Mbrojtjes, David Norquist, i tha CNN-it se do të ndihmojnë në mbikëqyrjen e këtij grupi, i cili brenda ditëve të ardhshme pritet të zyrtarizohet.
Anëtarët e Kongresit Amerikan dhe zyrtarë të Pentagonit, prej kohësh kanë shprehur shqetësime lidhur me shfaqjen e disa avionëve të paidentifikuar që fluturuan mbi bazat ushtarake amerikane, që për ta, ka paraqitur rrezik.
Nuk dihet origjina e tyre dhe disa besojnë se mund të jenë dronë që lëshohen nga kundërshtarë e që lidhen me inteligjencën, porse ende nuk ka një përgjigje përfundimtare.
Pentagoni më herët pati lëshuar zyrtarisht tri video të deklasifikuara, në të cilat shihen “dukuri të pashpjegueshme ajrore”, që më parë ishin transmetuar prej një kompanie private.
Presidenti amerikan Donald Trump i pati quajtur këto pamje “ferr” dhe pati thënë se do të ishte diçka e çuditshme po qe se do të ishin vërtetë UFO.