Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë aktualisht 11 aeroplanmbajtëse në shërbim aktiv, përfshirë 10 të klasës Nimitz dhe 1 të klasës së avancuar Gerald R. Ford. Këto anije gjigante kanë qenë prej dekadash themeli i fuqisë ushtarake dhe diplomacisë amerikane nëpër botë. Por, sipas paralajmërimeve të fundit nga vetë Pentagoni, këto simbole të fuqisë mund të jenë në rrezik.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka deklaruar se raketat hipersonike kineze mund të shkatërrojnë të gjithë flotën e aeroplanmbajtëseve amerikanë për vetëm 20 minuta në rast të një konflikti të menjëhershëm. “Kina ka ndërtuar një ushtri me qëllimin specifik për të mposhtur SHBA-të”, u shpreh ai në një intervistë të fundit.
Sipas Hegseth, ushtria amerikane “humbet ndaj Kinës në çdo simulim lufte” të organizuar nga vetë Pentagoni. Ai fajësoi burokracinë amerikane dhe ritmin e ngadaltë të modernizimit ushtarak, në një kohë kur Kina po përparon me shpejtësi në teknologjitë strategjike.
Një raport i Departamentit amerikan të Mbrojtjes i publikuar në dhjetor 2024 konfirmon përparimin e jashtëzakonshëm të Kinës në teknologjinë e raketave hipersonike në 20 vitet e fundit.
Në shtator të vitit 2024, Kina kreu një provë të një rakete balistike ndërkontinentale që përfundoi në një zonë të caktuar të Oqeanit Paqësor – një veprim i rrallë që shihet si paralajmërim i qartë ndaj SHBA-ve dhe aleatëve të saj në rajon. Ekspertët theksojnë se kjo është prova e parë e tillë që nga viti 1980, shkruan A2.
Raketa e testuar, DF-27, thuhet se ka një rreze veprimi nga 5.000 deri në 8.000 kilometra, duke e cilësuar atë si një ICBM – raketë balistike ndërkontinentale, me kapacitet për të goditur deri në Alaskë apo Hawai.
Aktualisht, Kina ka ushtrinë dhe marinën më të madhe në botë, buxhetin e dytë më të lartë ushtarak pas SHBA-ve, dhe forcat ajrore më të mëdha në rajonin e Indo-Paqësorit. Më shumë se gjysma e avionëve të saj luftarakë janë të gjeneratës së katërt ose të pestë.
Me një arsenal të madh raketash, bombardues strategjikë dhe nëndetëse me energji bërthamore, fuqia ushtarake e Kinës po sfidon seriozisht dominimin global amerikan.