Nëse Ukraina bie, besoj vërtet se NATO-ja do të duhet të luftojë me Rusinë”. Kështu tha Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, duke nënvizuar, gjatë një seance dëgjimore në Kongres, se “ne e dimë se nëse Putin ia del mbanë këtu, nuk do të ndalet, do të vazhdojë të ndërmarrë veprime të tjera agresioni në rajon”.
“Nëse Ukraina bie, Putini nuk do të ndalet – përsëriti shefi i Pentagonit – ai do të vazhdojë të përparojë dhe të sulmojë territoret sovrane aty pranë. Nëse do të isha një vend baltik, do të isha vërtet i shqetësuar për atë që mund të ndodhte. Ata e njohin Putinin. Ata e dinë se çfarë ai është i aftë të bëjë”.
Për këtë arsye, vazhdoi Austin, duke iu drejtuar veçanërisht republikanëve që po bllokojnë paketën e ndihmës ushtarake prej 60 miliardë dollarësh për Kievin, “të mos ndihmosh Ukrainën është një rrugë shumë e rrezikshme”, duke kujtuar se si “çdo ditë” shohim “rreziqet në fushën e betejës” ku ukrainasit po luftojnë me guxim për të mbrojtur territorin e tyre” dhe ku rusët po fitojnë terren, edhe për shkak të vonesës së ndihmës, që po bën që municioni të mbarojë.