Të dielën do të mbahet mbrëmja e madhe e ndarjes së çmimeve të muzikës, MTV Europe Music Awards 2022.
Në këtë mbrëmje çmimesh pritet të bëjnë histori shqiptarët, pasi që nga prezantuesja, performuesit e deri te të nominuarit – janë të gjithë artistë me prejardhje shqiptare.
Rita Ora me bashkëshortin e saj, Taika Waititi, do të jenë nikoqirë të mbrëmjes që do të prezantojnë edicionin e sivjetmë të MTV EMA.
Ndërkohë, dy këngëtaret tjera të njohura shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha dhe Ava Max, do të performojnë në mbrëmjen e madhe hitet e tyre më të fundit.
Këto të dyja madje janë edhe të nominuara për të fituar një nga çmimet e mbrëmjes, atë të “bashkëpunimit më të mirë”.
Në këtë kategori atyre iu bashkohet në konkurrim edhe shqiptarja tjetër me famë ndërkombëtare, Dua Lipa.
Dua Lipa në MTV Europe Music Awards 2019 (Foto: Kate Green/Getty Images for MTV/Guliver)
Bebe Rexha është nominuar për bashkëpunimin e saj me David Guettan, “I’m good (Blue)”, Ava Max për bashkëpunimin me DJ Tiësto, “The Motto”, gjersa Dua Lipa për bashkëpunimin “Sweetest Pie” me Megan The Stallion.
Fituesin e kësaj kategorie do ta vendosë vet publiku duke votuar në këtë LINK.
Kjo është hera e parë në histori që tri shqiptare garojnë për të njëjtin çmim, por jo hera e parë që më shumë se një artist shqiptar nominohet në të njëjtën kategori në çmime ndërkombëtare.
Bebe Rexha gjatë performancës në MTV Europe Music Awards 2018 (Foto: Stuart C. Wilson/Getty Images for MTV/Guliver)
Në vitin 2019, Bebe Rexha dhe Dua Lipa ishin të nominuara për të njëjtin çmim në Grammy Awards, “Artisti i ri më i mirë” – çmim të cilin përfundimisht e fitoi Dua.
Në po të njëjtin vit, Dua ishte nominuar në të njëjtën kategori me Rita Orën në mbrëmjen e madhe britanike të çmimeve “Brit Awards 2019”. Ato garonin për çmimin kryesor “Videoja muzikore më e mirë” me nga dy klipe të tyre.
Ava Max me çmimin ‘Artisti depërtues i vitit’ në MTV Europe Music Awards 2019 (Foto: Kate Green/Getty Images for MTV/Guliver)
Edhe në vitin 2017, Rita dhe Dua konkurronin njëra-tjetrën për të njëjtin çmim, “Best Look (Pamja më e mirë)”, në MTV Europe Music Awards 2017.