Ikona e Hollivudit, Dick Van Dyke, i cili më 13 dhjetor feston 100-vjetorin, ka treguar së fundmi se heqja dorë nga disa prej zakoneve më të rrezikshme të jetës së tij ka qenë çelësi për jetëgjatësinë e jashtëzakonshme.
Gjatë një eventi privat “Vandy High Tea” në shtëpinë e tij në Malibu më 30 nëntor, aktori legjendar kujtoi edhe takimet e hershme me Walt Disney në vitet ’60, duke shprehur se është “ndoshta personi i fundit gjallë” që ka punuar me animatorin e famshëm.
Van Dyke tregoi se, ndonëse djali i tij Barry pretendon se ai nuk ka qenë duhanpirës i rëndë, aktori e kundërshtoi menjëherë: “Kam pirë shumë, në fakt!”. Megjithatë, pranoi se vetëm pasi kuptoi varësinë që kishte nisi betejën e vështirë për të lënë alkoolin dhe cigaret. Ai u shtrua vetë në spital në vitin 1972 për të trajtuar alkoolizmin, duke e përshkruar procesin e braktisjes së duhanit si “dy herë më të vështirë se lënia e alkoolit”.
Përveç largimit nga veset, aktori e lidh jetëgjatësinë edhe me një parim emocional që ka ndjekur gjithë jetën: nuk ka mbajtur kurrë mllef. Van Dyke beson se zemërimi dhe urrejtja “të gërryejnë nga brenda”, ndërsa kujtoi se i ati, i cili ishte shpesh i mërzitur nga gjendja e botës, vdiq në moshën 73-vjeçare.
Ndërsa afrohet ditëlindja e tij e artë, aktori tregon se nuk ka frikë nga fundi dhe ndihet me fat për jetën që ka pasur. “Nuk kam pse të ankohem. Çdo ditë zgjohem në humor të mirë.” Ai thotë se vendimi më i mirë i jetës së tij ishte martesa me Arlene Silver, 54 vjeç, në vitin 2012, duke e cilësuar atë “arsyen pse qëndron i lumtur çdo ditë”, u shpreh ai, përcjell A2.
Megjithatë si tregoi edhe një anë të trishtë të jetëgjatësisë, humbjen e shumë miqve. “Ai i ka mbijetuar pothuajse të gjithëve”, tha bashkëshortja e tij.




