Edon Zhegrovës i mjaftuan pak minuta në ndeshjen debutuese për Lillen, për të dëshmuar se dëshiron të jetë i rëndësishëm për kampionin e Francës. Ai krijoi një aksion për gol në ndeshjen e zhvilluar të dielën kundër PSG-së. Ishte edhe rasti i fundit në ndeshjen që Lille e humbi nga PSG-ja thellë, 5:1.
Zhegrova të martën për KOHËN ka thënë se për të ishte ditë e veçantë debutimi para shikuesve të klubit francez.
“Dita e debutimit ishte e veçantë për mua edhe pse rezultati nuk ishte në favorin tonë. Por isha i lumtur që debutova në shtëpi para shikuesve. Tifozët e Lilles më kanë pritur ngrohtësisht dhe jam i lumtur për këtë”, ka thënë Zhegrova për KOHËN.
22-vjeçari nga Prishtina është i lumtur që të dielën ndau fushën me modelin e tij, yllin argjentinas Lionel Messi.
“Messi gjithmonë ka qenë model për mua dhe vazhdon të jetë. Si i vogël kam shikuar videot e tij dhe mënyrën se si luan. Ishte ndjenjë e veçantë të ndajë një fushë me të”, është shprehur Zhegrova.
Ai u premton tifozëve të Lilles edhe më shumë se që kanë parë të dielën për katër minuta lojë sa edhe i pati në dispozicion. Zhegrova pret të ketë më shumë hapësirë në ndeshjet e ardhshme.
“Kam arritur të ambientohem shumë shpejt me klubin dhe shokët. Çdo ditë po shkon edhe më mirë për mua dhe besoj se do të kem kohë të mjaftueshme për ta treguar potencialin”, është shprehur Zhegrova, që të martën është përfshirë në listën e Lilles për Ligën e Kampionëve. Kjo është konfirmuar edhe në faqen zyrtare të UEFA-s, ku figuron emri i reprezentuesit të Kosovës.
Lille këtë edicion ka avancuar nga faza e grupeve të Championsit dhe në 1/8 e finales do të përballet me kampionin në fuqi të Evropës, Chelsean.
Ndeshjen e parë Lille e luan në udhëtim më 22 shkurt, ndërsa atë të kthimit e zhvillon në shtëpi më 16 mars.
Ai nuk ka luajtur për Baselin ndeshje evropiane këtë edicion dhe kjo ia lejon paraqitjen për Lillen në Champions.
“Paraqitja në Ligën e Kampionëve për gjithë lojtarët është gjë e madhe. Jam shumë i lumtur që edhe unë do ta kem rastin të luaj”.
Zhegrova iu bashkua Lilles muajin e shkuar nga Baseli helvetik. Rruga deri te kampioni i Francës për Zhegrovën nisi në Kosovë. Ishte te Flamurtari dhe Prishtina para se si 15-vjeçar bashkë me familjen të shkonte në Belgjikë.
Fitoi kampionatin e Belgjikës me skuadrën e Genkut në vitin 2019. Në janar të vitit 2019 kishte kaluar te skuadra e Baselit. Me Baselin e fitoi Kupën.
“Si i vogël kam qenë djalë me ambicie dhe ëndrra të mëdha. Talenti dhe puna janë arsyet që kam arritur deri këtu ku jam. Por ky është vetëm fillimi. Kam shumë për të treguar dhe për të dhënë”, ka deklaruar Zhegrova.
Zhegrova u lind në Gjermani, ndërsa prindërit e tij disa vjet më vonë vendosën të kthehen e të jetojnë në Kosovë. Vendosi ta përfaqësojë vendin prej nga e ka origjinën. Më 24 mars të vitit 2018 luajti për herë të parë për Kosovën. Deri tani i ka 24 paraqitje. E festoi golin e parë me Kosovën në ndeshjen miqësore kundër Madagaskarit. Shkëlqeu edhe në ndeshjen kundër Shqipërisë më 29 maj të vitit 2018. Kosova kishte fituar 3:0, ndërsa një prej golave e shënoi Edon Zhegrova.
Në stadiumin “Letzigrund” në Zuerich, Zhegrova pret sërish fitore. Përballë një tjetër kundërshtari, dukshëm më të fortë se Shqipëria. Kosova më 29 mars luan në Zuerich kundër Zvicrës.
“Si në çdo ndeshje edhe në atë kundër Zvicrës luajmë vetëm për fitore. ‘Dardanëve’ u premtoj maksimumin si gjithnjë për Kosovën”, ka thënë Zhegrova.