Partia Socialiste e Serbisë, respektivisht lideri i saj Ivica Daçiq, është shantazhuar nga Rusia dhe nuk guxon të përkrahë propozimin franko-gjerman për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Ky është i vetmi shkasë për tensionet mes presidentit të Serbisë dhe SNS-së, Aleksandar Vuçiq dhe kreut të socialistëve.
Kështu e komentojnë bashkëbiseduesit e gazetës serbe “Danas” nga burime diplomatike përçarjen aktuale mes partnerëve në koalicionin qeverisës (Patia Për[parimtare Serbe) SNS dhe (Partia Socialiste Serbe) SPS.
“Sherri i ri mes SNS-së dhe SPS-së ndoshta është shkaktuar nga kushti i Rusisë ndaj Partisë Socialiste të Serbisë që të vazhdojnë të mbajnë distancë nga propozimi evropian për Kosovën. Nuk duket se gjithçka do të zgjidhet shpejt, duke parë se deri ku ka shkuar e gjithë ‘zënka’”, thonë burimet e gazetës serbe.
Ndërkaq, burimet e kësaj gazete thonë se Ivica Daçiq, megjithatë, më parë do të dorëzohet nën presionin e Aleksandar Vuçiqit, sepse, siç thonë ata, ‘nuk ka zgjidhje’, transmeton Telegrafi.
Në pyetjen se pse Ivica Daçiq po i ekspozohet këtij konflikti me Aleksandër Vuçiqin nëse është e qartë se ai do të dorëzohet në fund, bashkëbiseduesit e ‘Danas’ thonë se lideri socialist është ‘pazar i fortë’.
Më tej ata shpjegojnë se ashtu siç Vuçiq e mban në grusht Daçiqin, po ashtu e mban edhe Rusia.
Rusët me siguri kanë dosje komprometuese për Daçiqin
“Rusët sigurisht kanë dosje komprometuese për Daçiqin dhe është pothuajse e sigurt se bëhet fjalë për para”, vlerësojnë bashkëbiseduesit e gazetës, të cilët nuk kanë dashur të flasin publikisht për këto supozime, duke pasur parasysh natyrën e punës që bëjnë.
Partia Socialiste e Serbisë sigurisht merr para nga Federata Ruse, përveç faktit të qartë se partia financohet përmes punëve me naftën në Serbi.
“Daçiq tani do të duhej të thotë se burimi kryesor i financimit të tyre do të hiqet”, përfundojnë bashkëbiseduesit e gazetës.
Kujtojmë, duke folur për problemet që ka me Partinë Socialiste të Serbisë, presidenti i Serbisë e krahasoi atë parti me pjesën e djathtë dhe nacionaliste të opozitës, të cilët janë rreptësisht kundër zgjidhjes evropiane për Kosovën.