Një vetëtimë që përshkoi qiellin nga Teksasi në Kansas në vjeshtën e vitit 2017 ka thyer rekordin si më e gjata në botë.
Gjatë një stuhie në tetor të vitit 2017, vetëtima përshkoi 829 kilometra, një largësi që tejkaloi rekordin e mëparshëm me 61 kilometra.
“Ne e quajmë vetëtima megaflash dhe vetëm tani po kuptojmë si dhe pse ndodh”,thotë shkencëtari Randy Cerveny nga Arizona State University. “Ka gjasa që të ekzistojnë ende ekstreme më të mëdha dhe ne mund të arrijmë t’i vëzhgojmë ndërsa me kohën grumbullohen të dhëna me cilësi të lartë.”
Vetëtima është një nga fenomenet më mahnitëse. Ajo ndodh kur turbulencat në atmosferë bëjnë që pjesëzat e saj të fërkohen me njëra-tjetrën duke gjeneruar energji. Më pas grumbullohet kaq shumë energji saqë duhet të shkarkohet dhe del në trajtën e miliona voltëve që ‘përçajnë’ qiellin.
Vetëtima që më parë mbante rekordin për distancën e përshkuar horizontale u regjistrua më 29 prill 2020 kur një megaflash nga reja në re arriti në 768 kilometra në Teksas, Luiziana dhe Misisipi.
Pjesa më e madhe e vetëtimave janë të vogla dhe bien vertikalisht. Disa udhëtojnë në vijë të drejtë përmes reve dhe nëse rreshti i këtyre të fundit është i madh, mund të shkarkohen vetëtima të shumta. Çdo gjë që kalon gjatësinë 100 kilometra konsiderohet megaflash.