Në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë ka nisur protesta pas rastit të përdhunimit të një vajze 11 vjeçare nga pesë persona.
Disa protestues kanë hedhur ngjyrë të kuqe në dyert e ministrisë së Drejtësisë.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka organizuar protestë pas përdhunimit të 11-vjeçares nga pesë persona.
Protesta është duke u zhvilluar në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, njofton Klan Kosova.
Kujtojmë se më 27 gusht pesë persona e kanë dhunuar një vajzë 11 vjeçare në Prishtinë, gjë që tronditi mbarë vendin.
Policia ka arritur t’i identifikojë dhe arrestojë të dyshuarit në fjalë.
Sot në Prishtinë do të protestohet për rastin e përdhunimit të 11-vjeçares në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Protesta e cila është shpërndarë gjithandej do të nisë në orën 12:00.
Pos Prishtinës, protestë do të mbahet edhe në Tiranë e Shkup.
Sipas njoftimeve, në Tiranë mbledhja në sheshin “Nënë Tereza” nis në orën 18:30, ndërkohë në Shkup në orën 17:00.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka deklaruar se nga kjo protestë kërkojnë mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë, trajtim të drejtë të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për dhunuesit si dhe legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray).
“Kësaj gjendjeje terrori duhet t’i vije fundi. Vajzat dhe gratë në Kosovë nuk mund të jetojnë asnjë ditë tjetër me frikë. Djemtë e burrat nuk mund të amnistohen nga shteti dhe shoqëria për dhunën që ushtrojnë ndaj vajzave dhe grave. Përdhunimi i vajzës së mitur dhe i dhjetëra grave tjera veç gjatë këtij viti përveç që na indinjon, na revolton dhe na fton në radikalizim të mjeteve tona të protestës e vetëmbrojtjes”, thuhet në njoftim.
Të dyshuarit për dhunimin e kryer janë arrestuar dhe janë në paraburgim. Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, dje ka dhënë dorëheqje pas këtij rasti.