Albin Kurti reagoi me një mesazh në rrjetet sociale pas përfundimit të balotazhit të zgjedhjeve lokale në Kosovë, duke falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen dhe aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje për angazhimin e tyre.
“Ju faleminderit për pjesëmarrje në balotazhin e djeshëm të gjithë juve që e ushtruat të drejtën e votës. Treguat vullnet dhe pjekuri, i kontribuat demokracisë në Kosovë dhe orientimit të politikave publike në komunat tuaja”, ishte komenti i tij, qe vjen në sfondin e një pjesëmarrjeje të ulët, e cila në fakt nga analistët u interpretua si shenjë pakënaqësie e votuesve me kastën politike.
Pretendimeve se përdori aparatin shtetëror për zgjedhje, kryeministri në detyrë i Kosovës zgjodhi t`i kthente një përgjigje jo të drejtpërdrejtë.
“Tani do të qeverisim në shtatë komuna të Republikës, pra më shumë se kurdoherë më parë. Lëvizjen tonë s’e ndali dot as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve. Ju falemnderit çdonjërit për angazhimin. Na presin shumë punë e sfida, që do të thotë se para nesh ndodhen shumë suksese e fitore,” ka shkruar ai.
Zgjedhjet lokale u zhvilluan në një kohë të paqartësive politike në nivel qendror, teksa mbetet e hapur çështja nëse Kosova do të ketë një qeveri të re apo do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kjo pritet të qartësohet deri më 19 nëntor, kur përfundon afati për të mandatuarin e LVV-së, Glauk Konjufca, që të formojë dhe të prezantojë qeverinë në Kuvend.



