Historia e Robert Morenos te Sochi përfundoi më herët nga sa pritej. Ishte në shtator kur klubi rus njoftoi largimin e trajnerit spanjoll, i cili kishte nisur aventurën e tij në Premier Ligën ruse në dhjetor të vitit 2023. Moreno përjetoi gjithçka gjatë rrugëtimit të tij në ligën ruse: një rënie nga kategoria, një ngjitje të menjëhershme dhe madje edhe një shtrim në spital.
Disa ditë më parë u përhap në Rusi lajmi se Moreno, ish-përzgjedhësi i Kombëtares së Spanjës, përdorte në mënyrë të përsëritur ChatGPT. U dhanë më shumë detaje mbi shkakun e mundshëm të largimit të tij nga Sochi. Andrei Orlov, ish-drejtor i përgjithshëm i klubit rus, e akuzoi atë se kishte përdorur Inteligjencën Artificiale (IA) gjatë muajve në detyrë.
Sipas drejtuesit rus, Moreno e përdorte për të vendosur formacionet dhe për të aplikuar teknika si zgjuarja e skuadrës në orën 5 të mëngjesit. Gjithashtu, për planifikimin e udhëtimeve: një itinerar i sugjeruar nga IA për një udhëtim në Khabarovsk do t’i kishte lënë lojtarët pa gjumë për 28 orë. “E pyeta: ‘Robert, gjithçka është shumë mirë, por kur do të flenë djemtë?’”, pranoi ai.
Së fundmi, Moreno thuhet se i ishte drejtuar ChatGPT-së për të gjetur një ‘numër 9’ në merkato. U transferua kazaku Artur Shushenachev, por rezultati nuk ishte ai që pritej. “Për Morenon, ChatGPT u bë një nga mjetet kryesore të punës”, u ankua Orlov.
Versioni i Morenos: “Është plotësisht e pavërtetë…”
Trajneri spanjoll foli për AS dhe dha versionin e tij të ngjarjeve, duke i mohuar këto akuza. Argumenti i parë ishte se Andrei Orlov u largua nga Sochi para tij dhe se nuk e njeh realitetin aktual. “Burimi i këtyre informacioneve është një ish-drejtues i klubit me të cilin pata mospërputhje profesionale që përfunduan me largimin e tij. Nuk ekziston asnjë komunikatë zyrtare e FC Sochi që ta konfirmojë këtë version”.
Ai sqaroi se e kishte përdorur ChatGPT-në për përkthime nga spanjishtja në rusisht, “siç bën gjithë bota”. Gjithashtu, theksoi se nuk ishte shkarkim, por një largim me marrëveshje të ndërsjellë me drejtuesit e klubit pas rezultateve të dobëta.
“Nuk kam përdorur kurrë ChatGPT apo ndonjë Inteligjencë Artificiale për të përgatitur ndeshje, për të vendosur formacione apo për të zgjedhur lojtarë. Kjo është plotësisht e pavërtetë. Ajo që kam bërë ndonjëherë në raste të veçanta ka qenë përdorimi për përkthime mes rusishtes dhe spanjishtes, një gjuhë që nuk e zotëroj. Por kjo nuk ka asnjë lidhje me vendime sportive”, shpjegoi ai për AS.
“Transferimi për të cilin flitet ishte një proces i klubit, i dakordësuar me drejtorin sportiv dhe gjithë stafin mjekësor. Lojtari shënoi në Kupë dhe më pas pati një dëmtim që ndikoi në vazhdimësinë e tij, siç ndodh në çdo ekip. Por unë nuk e njihja tregun e Kazakistanit, ndaj propozimi erdhi nga Drejtoria Sportive”.
Në fund, Moreno theksoi: “Karriera ime në futboll nisi pikërisht nga analiza e të dhënave dhe videos. Ky është specializimi im dhe ajo që bëri diferencën në fillimet e mia. Si çdo staf teknik profesionist, ne përdorim mjete analitike: GPS, Wyscout, video, platforma skautimi. Teknologjia ndihmon për të përpunuar informacionin më shpejt, por vendimet sportive i merr gjithmonë stafi teknik”.

