Ndërmjetësuesi i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak, do të vizitojë sërish Kosovën dhe Serbinë. Kësaj here do të jetë i shoqëruar nga këshilltarët e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron. Këtë angazhim në rritje të faktorit ndërkombëtar në procesin e dialogut, ekspertët në Prishtinë e shohin me optimizëm dhe e konsiderojnë një mundësi më tepër për të gjetur zgjidhje për çështjen e targave dhe arritur marrëveshjen përfundimtare për normalizimin e raporteve.
“Natyrisht jam i bindur që kemi të bëjmë me një rritje të interesimit të faktorit ndërkombëtar për ta përmbyllur sa më shpejtë çështjen e dialogut e cila duhet të përmbyllet me marrëveshjen ligjërisht të obligueshme dhe gjithëpërfshirëse, siç po thuhet njohjen reciproke në qendër të saj”, thotë Arben Fetoshi, Profesor në Universitetin e Prishtinës.
Profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, thotë se përfshirja e Francës dhe Gjermanisë në dialog sjell një dinamizëm të ri, intensifikim dhe seriozitet më të madh në bisedime për të arritur zgjidhje, duke nisur nga çështja e targave.
“Do të ketë kërkesa eksplicite, sidomos për çështjen e targave që ndoshta të shkohet më butë apo të kërkohet afat kohor derisa në Serbi të gjendet një zgjidhje për çështje përfundimtare, sepse po besoj që këto çështje do të lihen të gjitha në një marrëveshje finale ligjërisht të obligueshme me njohje reciproke, nëse nuk ka zgjidhje për momentin” , shprehet Dritëro Arifi, profesor i shkencave politike.
Gjatë të premtes, Kosovën do ta vizitojë ndërmjetësuesi i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga këshilltarët, Jens Plettner dhe Emmanuel Beaune, të angazhuar nga liderët e tyre për të ndihmuar në arritjen e marrëveshjes finale mes Prishtinës dhe Beogradit. Ata pritet që të takohen me kryeministrin, Albin Kurti, ndërsa më pas do të vizitojnë edhe Serbinë, ku do të zhvillojnë një bisedë edhe me presidentin Aleksandër Vuçiç. Kjo vjen pasi Macron dhe Scholz i drejtuan atij një letër duke kërkuar që Serbia të bëhet gati për të marrë vendime të vështira në dialog.