Shtetet e Bashkuara kanë përfunduar tërheqjen e forcave të tyre nga Afganistani.
Lajmi është konfirmuar nga Pentagoni. Fluturimi i fundit i forcave amerikane nga aeroporti i Kabulit të hënën në mbrëmje shënon fundin e luftës më të gjatë të SHBA-së, pas plot 20 vjetësh.
Gjenerali amerikan, Frank McKenzie, tha se SHBA evakuoi pothuajse 80,000 civilë nga Kabuli në javët e fundit. Kjo shifër përfshin edhe 6,000 civilë amerikanë.
“Çdo pjesëtar i shërbimit amerikan tani është jashtë Afganistanit”, tha gjenerali amerikan.
Evakuimi përfundimtar i forcave të SHBA-së, atyre të vendeve aleate dhe civilëve afganë ka qenë kaotik.
Javën e kaluar ndodhi një sulm vetëvrasës nga militantët e Shtetit Islamik Khorasan jashtë aeroportit të Kabulit që la të vrarë rreth 170 afganë dhe 13 trupa amerikane.
Disa raketa u hodhën drejt aeroportit të Kabulit mëngjesin e së hënës.
Një zyrtar amerikan i tha agjencisë së lajmeve Reuters se pesë raketa u lëshuan në aeroport, porse u penguan nga sistemi i mbrojtjes raketore.
Grupi militant Shteti Islamik tha se merr përgjegjësinë për hedhjen e gjashtë raketave.
Nuk është e qartë nëse të gjitha raketat u shkatërruan, pasi banorët lokalë raportuan për rënien e disa copave në rrugë.
Të dielën, ushtria amerikane tha se një sulm i saj me dron mbi një automjet në Kabul ka parandaluar një sulm të grupit militant Shteti Islamik Khorasan (ISIS-K), që kishte në shënjestër njerëzit e tubuar në aeroportin e kryeqytetit.
Mbi 122,000 njerëz deri tani janë evakuuar nga forcat e koalicionit që nga 14 gushti një ditë para se talibanët të marrin kontrollin e Kabulit.
Në bazë të një marrëveshjeje mes talibanëve dhe Shteteve të Bashkuara të arritur në fillim të vitit 2020, për tërheqjen e forcave të huaja nga Afganistani, pas 20 vjetësh të operacioneve atje, talibanët ishin zotuar se nuk do të lejojnë që territori afgan të përdoret nga grupet terroriste.
Gjenerali McKenzie tha se ende ka rreth 2,000 luftëtarë të IS -it në Afganistan.
Sipas tij, talibanët kanë liruar militantët e IS-it nga burgjet prandaj do të “korrin atë që kanë mbjellë”.
“Talibanët do t’i kenë duart plot me ISIS-K”, tha ai.
Afati përfundimtar për tërheqjen e plotë të forcave të huaja ishte nesër 31 gusht, një afat ky i vendosur nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden.
Presidenti Biden ka qenë nën presion nga vendet aleate për të shtyrë afatin e evakuimit mirëpo ai kishte kundërshtuar duke thënë se ekziston rreziku nëse forcat amerikane vazhdojnë të qëndrojnë në terren.
SHBA-ja dhe forcat aleate janë futur në Afganistan në vitin 2001, pas sulmeve terroriste të Al Kaidës në SHBA, më 11 shtator, 2001.
Gjithsej 2,461 pjesëtarë të shërbimit amerikan u vranë në Afganistan dhe më shumë se 20,000 u plagosën, në dy dekadat e fundit.
Uashingtoni ka shpenzuar më shumë se 1 trilion dollarë në këtë luftë.
Më herët Biden ka thënë se ushtria amerikane ka “arritur” qëllimet e saj në këtë vend për të mposhtur Al-Kaidën dhe për të parandaluar më shumë sulme mbi Shtetet e Bashkuara.
Të hënën, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë përmes së cilës u bëhet thirrje talibanëve të sigurojnë dalje të sigurt për njerëzit që përpiqen të largohen nga Afganistani. (REL)