Një autobus që po transportonte pelegrinët hindu në një faltore në Kashmirin, është rrëzuar nga ura në një grykë Himalaje.
10 persona kanë vdekur dhe 55 të tjerë janë plagosur në aksident. Sipas policisë autobusi ishte i mbingarkuar.
Autobusi po udhëtonte nga Amritsar në shtetin verior të Punjabit në drejtim të Katra kur ra në grykën pranë Jammu. Një vinç u përdor për të nxjerrë autobusin e shkatërruar, ndërkohë që dhjetëra njerëz ishin duke e parë.
Pasagjerët po vizitonin faltoren e Vaishno Devi, e cila është shumë e nderuar nga hindusët dhe qindra mijëra njerëz e vizitojnë çdo vit. Oficeri i policisë Chandan Kohli tha se të vdekurit ishin nga shteti Bihar i Indisë, por emrat nuk janë bërë ende publike.
India ka normat më të larta të vdekjeve rrugore në botë, me mijëra njerëz të vrarë dhe të plagosur çdo vit. Shumica e aksidenteve ndodh për shkak të drejtimit të pakujdesshëm, rrugët e shkatërruara dhe automjetet e vjetra.