Disa audio të publikuara këtë 14 mars në Ekuador do të zbulonin një bashkëpunim të dyshuar të oficerëve të lartë të policisë për të mbyllur një hetim mbi një operacion mafioz shqiptar në vendin e amerikës latine me qëllim mbrojtjen e Presidentit Guillermo Lasso dhe kunatit të tij, biznesmeni Danilo Carrera. Audioja u transmetua nga media “La Posta”, e njëjta që denonconte komplotin e pretenduar të korrupsionit në sektorin publik dhe lidhjet me trafikun e drogës nga operatorë politikë pranë qeverisë, si Carrera dhe Rubén Chérrez, i cili ka lidhje me mafian shqiptare. Në përgjime tregohej se fushata elektorale e Lasso-s, ishte financiuar me 1.5 milion dollarë nga mafia.
Sipas një prej audiove të publikuara, një zë që i atribuohet gjeneralit të policisë Giovanni Ponce kërkoi të mbyllej raporti i policisë “León de Troya ose El Gran Informe”, në të cilin pretendohej se edhe presidenti ishte i përfshirë në ujdi, e se e gjitha do të ndikonte tek ai.
“Presidenti do të më thotë: po më heton mua?,”- dyshohet se ka thënë Ponce. Në bisedë, një nga bashkëbiseduesit, i cili pretendohet se është gjenerali Mauro Vargas, i cili du shfaq dakord me propozimin e Ponces. Ky raport, i cili ishte rezervuar nga Prokuroria, shkaktoi bujë politike dhe bëri që Asambleja Kombëtare (parlamenti) të niste një hetim të quajtur “Kumbari i Madh”, për të cilin presidenti mund të shkarkohej. “Kumbari i madh” është nofka me të cilën njihej kunati i tij, i cili dyshohet se ka lidhje me bandat.
Në një tjetër regjistrim të publikuar nga La Posta më 14 mars, ish-komandantja e Përgjithshme e Policisë Tanya Varela dyshohet se thotë se “gjenerali Vargas dëshiron ta mbyllë çështjen sepse nuk ka asgjë me vlerë”. Në lidhje me këto audio, gazetari Luis Eduardo Vivanco, nga La Posta, shkroi në Twitter se mediat kanë demonstruar nivelin e kalbëzimit të udhëheqjes së Policisë Kombëtare, e sesi pikërisht ajo kuptojë, nën komandën e qeverisë, mbuloi përfshirjen presidenciale për hetim droge.
Komisioni legjislativ që hetoi çështjen “El Gran Padrino” do të paraqesë këtë javë propozimin për një gjyq politik kundër Presidentit Lasso. Kjo pasi së bashku me rritjen e organizatave shoqërore dhe politike në Ekuador që kërkojnë përfundimin e mandatit presidencial të Guillermo Lasso, u publikuan prova të reja që tregojnë se presidenti ekuadorian dinte për aktet e korrupsionit dhe trafikut të drogës në vend. Madje ishte dhe bashkëpunëtor.
Disa javë më parë, një raport i inteligjencës ekuadoriane, i publikuar nga La Posta, zbuloi lidhjet e presidentit ekuadorian me mafien shqiptare dhe trafikun e drogës, një situatë që, sipas disa analistëve, mund të sillte fundin e mandatit të tij në Ekuador. Sipas raportit, shqiptarët kishin ndikuar në emërimin e ministrave në vend.