Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi shkrimtarin, dramaturgun dhe poetin disident, Kasëm Trebeshina.
Kasëm Trebeshina lindi në Berat më 8 gusht 1926. Filloi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, por i ndërpreu më 1942 sepse u aktivizua që në rini në Luftën Nacionalçlirimtare. Pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, ai shërbeu si oficer i Drejtorisë së Mbrojtjes Popullore. Trebeshina ndërpreu studimet e larta në Institutin e Teatrit “Ostrovski” të Leningradit dhe iu kushtua tërësisht krijimtarisë letrare.
Ai do ta kundërshtonte që në nismë metodën e realizmit socialist. Letra e tij “Promemorje” për Enver Hoxhën, shkruar më 5 tetor 1953, denoncon vendosjen e sistemit diktatorial në Shqipërinë e Pasluftës së Dytë Botërore.
Ky kundërshtim i hapur i drejtimit që synohej t’i jepej letërsisë dhe arteve do t’a çonte atë mëse një herë në burg dhe do t’i hiqte të drejtën e botimit.
Në 1954 Trebeshina dënohet me 3 vjet burg me akuzën për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit. Më 18 maj 1962 komisioni i internim–dëbimeve e dënoi atë me 5 vjet internim, që filloi më datë 18 maj 1962 dhe mbaroi në datë 18 maj 1967.
Në vitin 1961 boton poemën “Artani dhe Min’ja” dhe një përkthim të poetit spanjoll Garsia Lorka. Një pjesë e veprave të Trebeshinës kanë nisur të botohen në fillim të viteve ’90 në Prishtinë por pjesa më e madhe e veprës së tij: 18 vëllime me poezi, 42 pjesë teatrore, 21 romane e vëllime me tregime etj., janë ende në dorëshkrim.
“Stina e stinëve”, është vepra më përfaqësuese. Në këtë vëllim janë përfshirë tri novela: “Stina e stinëve”, “Odin Mondvalsen” dhe “Fshati mbi shtatë kodrina”. Vepra të tjera të njohura të tij janë:”Mekami,melodi turke” ,“Histori e atyre që nuk janë”, “Legjenda e asaj që iku”. Kasëm Trebeshina ndërroi jetë në Ankara, më 6 nëntor 2017.