Nuk kanë të ndalur incidentet në veri të Kosovës, ku policia ka qenë sërish objektiv i një sulmi të armatosur kësaj here pranë liqenit të Ujmanit.
Përmes një komunikate për shtyp, policia e Kosovës njofton se persona të maskuar hapën zjarr ndaj patrullës dhe për këtë arsye ajo u detyrua të kundërpërgjigjej në të njëjtën mënyrë.
Fatmirësisht nga të shtënat nuk ka pasur persona të lënduar, ndërkohë që policia është vënë në ndjekje të agresorëve.
“Persona nga grupe të caktuara kriminale të cilat kanë kryer bllokimin e disa rrugëve në veri të vendit, nga lokacione të ndryshme, në tri raste kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore të cilat kanë qenë në detyrë zyrtare në afërsi të pendës së liqenit të Ujmanit, në rrugën që shpie në drejtim të Pikës Kufitare të Bërnjakut.
Njësitet policore, në vetëmbrojtje janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen me armë zjarri personave/grupeve kriminale, të cilat janë zmbrapsur dhe larguar në drejtim të panjohur. Po ashtu bazuar në informacionet e siguruara nga njësitet policore në terren, në disa lokacione të ndryshme, janë dëgjuar po ashtu të shtëna me armë zjarri”, shkruhet në njoftim.
Më herët gjatë ditës policia bllokoi për motive sigurie rrugët që të çojnë në pikat kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut.