Për shkak të rreshjeve të dendura të shiut të mëngjesit të së martës, Policia e Shtetit njoftoi se është përmbytur një pjesë e aksit të rrugës interurbane Tiranë-Durrës, konkretisht në zonën pranë karburantit në hyrje të Durrësit.
Për shkak të pranisë së lartë të ujhit, në të dy anët e rrugës, është e pamundur të qarkullohet me makinë në këtë segment.
Policia thotë se për të shmangur trafikun dhe aksidentet, Policia Rrugore njofton se do të devijohet lëvizja si më poshtë:
-Automjetet që vijnë nga jugu në drejtim të Tiranës, të qarkullojnë nga Rruga e Plepave për në Ndroq dhe nga rruga “Rrogozhinë–Elbasan–Tiranë”.
-Për në Durrës, kalimi do të bëhet nga rruga e universitetit, në drejtim të Spitallës dhe në rrugën “Tiranë–Elbasan–Rrogozhinë”.
“Policia apelon për drejtuesit e mjeteve që të shmangin lëvizjet e panevojshme, të tregojnë kujdes maksimal gjatë lëvizjes, të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë dhe të zbatojnë sinjalistikën rrugore. Shërbimet e Policisë Rrugore dhe Patrullat e Përgjithshme po marrin masa për lehtësimin e qarkullimit të mjeteve dhe për të ndihmuar drejtuesit e mjeteve”, tha policia.

