Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka bëri një pasqyrim të situatës aktuale në vend pas reshjeve të shumta që sollën përmbytje në disa zona të vendit.
Kështu, Xhaçka raportoi disa probleme në Kurbin, Lezhë, Shkodër e të tjerë duke bërë me dijeni se situata e rëndë tashmë është normalizuar.
“Falë angazhimit është bërë e mundur që akset rrugore të jenë funksional. Reshje me intensitet të pazakontë, për disa orë ka rënë shi sa për 1 muaj. Kemi pasur mundësinë të testojmë sërish mekanizmin e ri të Mbrojtjes Civil. Koordinimi ka funksionuar duke qenë shumë më tepër efikas sesa në të shkuarën”, tha ndër të tjera ministrja.
“Akset rrugore dhe sistemet kryesore të furnizimit me energji dhe ujë, funksionale. Në Tiranë, në 105 banesa ka prezencë uji, vështirësi në Kamëz. Ekipet në terren nuk kanë nevojë për kapacitete e mbështetje shtesë. Në Fushë Krujë në 10 familje në fshatin Larush dhe 8 familje në Bubq, prani uji. Në fshatrat Bilaj, Murqine dhe Mallkuc, lumi Ishëm doli nga shtrati dhe ka përmbytur toka. Në Kurbin, rritja e nivelit në kolektorin Laç-Milot, përmbyti disa banesa. Solidarë me familjet në vështirësi deri në zgjidhjen e problemeve të tyre”, u shpreh Xhaçka./TCh/