Përmeti dhe i gjithë qarku Gjirokastër, janë tashmë një pol i rëndësishëm turistik në Shqipëri dhe një destinacion i pashmangshëm në jug të vendit që vitet e fundit i është shtuar edhe sporti i rafting, që tërheq çdo vit mijëra vizitorë.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi shprehet se “me sportet e aventurës si rafting, hipizmi apo hiking dhe investimet në agroturizëm, zonat rurale kanë një perspektivë të sigurt për zhvillim të qëndrueshëm”.
Ministri Çuçi iu bashkua një aktiviteti të organizuara nga Active Albania në bashkëpunim me Fakultetin e Aktivitetit Fizik dhe Rekreacionit (Universiteti i Sporteve, Tiranë) dhe partnerët lokale ku 32 të rinj nga vendet e rajonit po trajnohen për t’u bërë udhërrëfyes turistik në rafting.
Duke e cilësuar një eksperiencë fantastike në ujërat e kristalta të Vjosës mes një natyre të mrekullueshme, ministri thekson se “sportet e aventurës si rafting në këtë rast, kur kombinohen me agroturizmin dhe aktivitete të tjera nëpër fshatra, janë një mundësi e shkëlqyer zhvillimi për zonat rurale. Falë operatorëve që ofrojnë guida për rafting, sot ky sport sjell në Përmet mijëra vizitorë çdo vit”.
Ai nënvizon se Vjosa është një aset i jashtëzakonshëm për Shqipërinë, një burim të ardhurash për Përmetin dhe sipërmarrjet lokale./ATSH/