Connect with us

Technologji

Përpjekjet e Serbisë për ta fajësuar Kosovën për trazirat e saj të brendshme

Published

on

Derisa protestat e udhëhequra nga studentët vazhdojnë të tronditin Serbinë, autoritetet e këtij vendi kërkojnë dikë për të fajësuar. Shënjestër e tyre, prej kohësh, është bërë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por Qeveria e tij i quan të pabaza pretendimet.

“Askush nuk i gëzohet nxitjes së konflikteve në Serbi më shumë se Kurti dhe ustashët”, tha në dhjetor të vitit të kaluar zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe një ish-organizate fashiste kroate.

Atëkohë, protestat e studentëve në Serbi po merrnin hov.

Mijëra studentë dhe qytetarë të tjerë vazhdojnë ende të mblidhen nëpër qytete të ndryshme të këtij vendi, për të kërkuar përgjegjësi politike dhe penale për tragjedinë në Novi Sad, ku, nëntorin e kaluar, nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të qytetit vdiqën 15 persona.

Advertisement

Po në dhjetor, Kurti, gjatë një vizite në Kroaci, u pyet për protestat e studentëve në Serbi, për të cilat la të kuptohet se ka mirëkuptim, por nuk shprehu mbështetje për “nxitjen e konflikteve”, siç pretendoi Vulin.

“Sistemi i krijuar në Serbi nuk beson në pluralizmin politik, nuk ka sundim të ligjit, prandaj kemi protesta kaq të ashpra studentore”, tha mes tjerash Kurti më 13 dhjetor.

Po atë ditë, portali Informer në Serbi, i njohur për narrativë kundër Kosovës, publikoi një artikull me titull: “Albin Kurti mbështet protestat e ‘studentëve’ në Beograd: Terroristi shqiptar mbështet me gjithë zemër shkatërruesit e Serbisë”.

Advertisement

Pretendime të ngjashme bëri këtë muaj edhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

“Ekziston një koalicion i qartë interesash që lidh Albin Kurtin dhe sponsorët e protestave antishtetërore në Serbi”, tha Petkoviq më 16 shkurt, pa specifikuar se për cilët ‘sponsorë’ e ka fjalën dhe pa sjellë ndonjë provë për pohimet e tij.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe zyrtarë të tjerë serbë i kanë akuzuar vazhdimisht studentët protestues se bëjnë përpjekje “për të përmbysur pushtetin”.

Advertisement

Ata i kanë etiketuar protestuesit si “mercenarë të huaj”, “banditë” dhe “huliganë”, ndërsa kanë fajësuar edhe “shërbimet e Perëndimit” për ndërhyrje.

Çka thotë Qeveria e Kosovës?

Për zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, akuzat e tilla “janë manifestim i një pushteti autokratik, që shkakun e problemeve të brendshme dhe shfajësimin e tij synon ta gjejë e ta bëjë tek aktorët e jashtëm, ashtu që të mos kërkohet përgjegjësia”.

Advertisement

Sipas tij, Serbia është “i vetmi shtet në rajon me të kaluar të dëshmuar të ndërhyrjeve dhe nxitjeve të çështjeve të brendshme në shtetet fqinje”.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha, ditë më parë, se “Serbia e akuzon Kosovën se mbështet protestat në Serbi, pa bazë dhe pa ofruar ndonjë provë”.

Rohde e akuzoi vetë Serbinë për ndërhyrje në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, duke kërkuar vota për Listën Serbe.

Advertisement

Deklarata të ngjashme bëri edhe shefja e misionit të Bashkimit Evropian për monitorimin e zgjedhjeve në Kosovë, Nathalie Loiseau.

“Këto janë metoda e praktika të Serbisë autokratike, jo të Republikës së Kosovës që është demokratike”, thotë Kryeziu.

Çka thonë vëzhguesit?

Advertisement

Vëzhguesit e zhvillimeve në Kosovë dhe në Serbi thonë se autoritetet serbe, duke bërë akuza kundër Kurtit, përpiqen ta manipulojnë opinionin vendor dhe ta zhvendosin vëmendjen nga zhvillimet e brendshme.

Lulzim Peci, nga Instituti Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) në Prishtinë, thotë se pretendimet e zyrtarëve serbë janë “përpjekje për të gjetur armiq të jashtëm për problemet e brendshme”.

“Kjo nuk është asgjë e huaj për regjimet populiste dhe autokratike çfarë e ka sot Serbia”, thotë Peci.

Advertisement

Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, thotë se pretendimet e tilla të zyrtarëve dhe mediave serbe nuk janë më të besueshme për opinionin në Serbi.

“Kjo me Kurtin aktualisht nuk funksionon, madje as kur e përmendin në media si një argument serioz. Përveç për ata që i besojnë verbërisht Vuçiqit”, thotë Janjiq.

Studentët protestues në Serbi këmbëngulin se janë të pavarur, ndonëse në disa protesta të tyre janë parë edhe pjesëtarë të organizatave dhe partive djathtiste që e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës.

Advertisement

Janjiq shpreh bindjen se edhe ajo shumicë e qytetarëve që e mbështesin Vuçiqin, me besimin se ai nuk do ta njohë kurrë Kosovën si shtet, është duke u zvogëluar gjithnjë e më shumë.

A ka rrezik për incidente të mundshme në Kosovë?

Dy analistët pajtohen se akuzat e zyrtarëve serbë ndaj Kurtit nuk kanë bazë reale, por nuk ndajnë mendimin se situata e sigurisë në Kosovë mund të cenohet nën dirigjimin e autoriteteve serbe.

Advertisement

Peci thotë se sjellja e zyrtarëve serbë sinjalizon se ata po përpiqen ta zhvendosin vëmendjen e opinionit të brendshëm, duke e orientuar drejt Kosovës.

Në këtë kontekst, ai thotë se nuk mund të abstrahohen rreziqet për situatën e sigurisë në Kosovë, sidomos në veriun e banuar me shumicë serbe.

Ai thotë se rreziku për nxitje të incidenteve në këtë zonë edhe ashtu të trazuar, është real.

Advertisement

Kjo, pavarësisht faktit se Serbia – pas sulmit të armatosur të një grupi serbësh në Banjskë të Zveçanit, shtatorin e vitit 2023 – është vënë “nën llupën e faktorit ndërkombëtar”.

Peci thotë pas këtij sulmi, grupet e uniformuara serbe janë tërhequr në brendësi të Serbisë, por shton se nxitja e incidenteve eventuale mund të mos vijë nga persona të tillë.

Në atë rast, ata do të ishin të tejdukshëm edhe për faktorin ndërkombëtar, thotë ai.

Advertisement

“Çfarëdo që ndodh aty [në veri], është e ditur se do t’i atribuohet Serbisë, sepse është një përpjekje e saj për të krijuar një problem, për ta zhvendosur vëmendjen nga problemet që i ka brenda”, thekson Peci.

Ai shton se autoritetet e Kosovës, në këtë kohë, duhet t’i shmangin situatat që, siç shprehet, motivojnë tensione.

Në mënyrë specifike përmend mbylljen e disa qendrave për punë sociale në Mitrovicë të Veriut, të cilat funksiononin nën sistemin e Serbisë, javën e kaluar.

Advertisement

“Ne me këto akte e krijojmë një klimë, e cila e rrezikon sigurinë në veri të vendit për çështje krejtësisht jorelevante, siç janë shërbimet sociale”, thotë Peci.

Por, Janjiq nuk sheh rrezik për ndonjë incident sigurie në veri të Kosovës, të motivuar nga autoritetet e Serbisë.

Sipas tij, Vuçiq, aktualisht, po ballafaqohet me mungesë vizioni se si të dilet nga kriza e brendshme.

Advertisement

“Rreziku që ekziston, e që mund të ketë të bëjë me Kosovën, është fakti se në këtë kaos të institucioneve [në Serbi], krimi i organizuar, e sidomos narko-mafia, mund të fillojnë të marrin pjesë të territoreve”, thotë Janjiq, duke iu referuar edhe veriut të Kosovës.

Për Kosovën, Serbia mbetet kërcënimi kryesor për sigurinë dhe stabilitetin e saj.

Sulmi në Banjskë vetëm se e ka forcuar bindjen e Prishtinës se Beogradi nuk e ka braktisur strategjinë e destabilizimit të vendit fqinj – edhe pse autoritetet serbe kanë mohuar se kanë gisht në atë ngjarje.

Advertisement

Në deklaratën dhënë Radios Evropa e Lirë, Qeveria e Kosovës thekson se autoritetet e vendit “janë gjithmonë në krye të detyrës, për të siguruar ruajtjen e rendit e sigurisë publike, për të respektuar ligjshmërinë dhe për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve pa dallim”.

Analistët thonë se përkundër përpjekjeve të Serbisë për ta zhvendosur fajin jashtë kufijve të saj, e ardhmja e këtij vendi do të përcaktohet nga zhvillimet e brendshme.

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka dhënë dorëheqje, Vuçiq thotë se kërkesat e studentëve janë plotësuar, por protestat e tyre nuk kanë të ndalur. /REL/

Advertisement
Continue Reading

Bota

Dronët zbulojnë virus vdekjeprurës në frymën e balenave të Arktikut

Published

on

By

Dronët e pajisur me teknologji të posaçme kanë ndihmuar shkencëtarët të zbulojnë një virus potencialisht vdekjeprurës në frymën e balenave të Arktikut, duke hapur një kapitull të ri në monitorimin e shëndetit të gjitarëve detarë.

Shkencëtarët fluturuan dronë të pajisur me pajisje të posaçme përmes pikëzave të nxjerra gjatë frymëmarrjes, ose “fryrjeve”, që krijohen kur këta gjigantë dalin në sipërfaqe për të marrë frymë.

Analizat zbuluan praninë e morbillivirusit cetacean, një virus shumë ngjitës që përhapet lehtësisht midis delfinëve, balenave dhe derrave të detit, duke shkaktuar sëmundje të rënda dhe vdekje masive.

Ky është konfirmimi i parë se virusi po qarkullon mbi Rrethin Arktik, duke paraqitur një kërcënim serioz për ekosistemet detare.

Advertisement

Sipas studiuesve, kjo metodë është një hap i madh përpara, pasi lejon monitorimin e balenave të gjalla pa i stresuar apo dëmtuar ato. Virusi mund të përhapet lehtësisht mes specieve dhe të udhëtojë nëpër oqeane, çka e bën edhe më të rrezikshëm.

Shkencëtarët shpresojnë se përdorimi afatgjatë i kësaj teknologjie do të ndihmojë në identifikimin e hershëm të kërcënimeve dhe në mbrojtjen më të mirë të jetës detare në një Arktik që po ndryshon me shpejtësi. 

Advertisement
Continue Reading

Bota

Plani sekret i Kinës në “zemër” të Himalajeve

Published

on

By

Në një zonë të largët të Himalajeve, Kina po ndërton një sistem hidroenergjetik me vlerë 168 miliardë dollarë në lumin Yarlung Tsangpo, që pritet të prodhojë më shumë energji se çdo hidrocentral tjetër në botë. Projekti, i cili zbaton një rënie lartësie prej 2,000 metrash dhe përfshin tunele dhe stacione kaskade, synon të furnizojë energji për makinat elektrike dhe qendrat e inteligjencës artificiale, duke zvogëluar varësinë nga qymyri dhe emetimet e karbonit.

Megjithatë, ndërtimi ngre shqetësime të mëdha ekologjike dhe sociale, shkruan CNN. Zona e “Great Bend”, ku lumi ndryshon drejtim përreth maleve, është e pasur me biodiversitet, përfshirë specie të rrezikuara si tigri i Bengalit dhe panda e kuqe, dhe banorë vendas si Monpa dhe Lhoba mund të detyrohen të zhvendosen. Vlerësimet e ndikimit mbi ekosistemet dhe shoqëritë lokale mbeten të pasigurta, duke shtuar frikën se projekti mund të shkaktojë dëme të paparashikuara.

Projekti ngre gjithashtu tensione diplomatike. Lumi Yarlung Tsangpo bëhet Brahmaputra në Indi dhe Bangladeshi, duke mbështetur miliona banorë që varen nga peshkimi dhe bujqësia. Autoritetet indiane e kanë quajtur projektin një “bombë uji”, duke paralajmëruar për potenciale ndikime katastrofike në rast të kontrollit ose lëshimit të papritur të ujit. Marrëdhëniet midis Pekinit dhe New Delhit për lumenjtë transnacionalë janë tashmë të ndërlikuara dhe ndërtimi i hidrocentralit mund të tensionojë më tej situatën.

Kina ka theksuar se ka zbatuar masa të forta për mbrojtjen ekologjike dhe sigurinë inxhinierike, duke premtuar monitorim mjedisor dhe komunikim me vendet në vijën e poshtme të lumit. Por ekspertët paralajmërojnë se rreziqet janë të mëdha për shkak të lëvizjeve sizmike, reshjeve të paparashikueshme dhe përmbytjeve, si dhe pasojave për banorët dhe ekosistemet e Himalajeve.

Advertisement

Ndërsa Kina synon të kthejë Tibetin në një qendër të energjisë së pastër, projekti tregon sfidat mes zhvillimit teknologjik, sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes së mjedisit, duke bërë që hidrocentrali i Yarlung Tsangpo të konsiderohet një ndër ndërmarrjet më ambicioze dhe kontroverse në historinë e vendit.

Continue Reading

Bota

Avionë në formacion si zogjtë shtegtarë! Metoda e re e fluturimit

Published

on

By

Kompania europiane Airbus po eksperimenton me një koncept të ri të fluturimit në formacion, i frymëzuar nga zogjtë, për të ulur konsumin e karburantit dhe ndikimin mjedisor të industrisë ajrore.

Projekti, i quajtur “Fello’fly”, synon të përdorë efektin e krijuar nga avioni që udhëheq formacionin për të përmirësuar efikasitetin e karburantit të avionëve që e ndjekin, një efekt i njohur si “rikuperimi i energjisë nga shtrati i ajrit”.

Testimet u realizuan në bashkëpunim me linjat ajrore Air France, Delta Air Lines, French Bee dhe Virgin Atlantic, duke kryer tetë fluturime mbi Atlantikun e Veriut midis shtatorit dhe tetorit 2025.

Avionët u vendosën në një formacion që imiton pozicionin e zogjve migratorë, ku avioni kryesor gjeneron një ngritje që ndihmon avionët pasues të konsumojnë më pak karburant, duke ruajtur gjithashtu distancën e sigurt sipas rregullave të aviacionit.

Advertisement

Airbus njofton se nëse kjo teknikë zbatohet në fluturimet komerciale, mund të arrihet një kursim karburanti në fluturimet e gjata dhe një reduktim i ndjeshëm i emetimeve të CO2.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se reduktimet do të jenë të kufizuara. Çmimi i lartë i karburanteve të pastra, mungesa e avionëve të rinj dhe rritja e vazhdueshme e trafikut ajror e komplikojnë përmirësimin e qëndrueshmërisë.

Parashikohet që deri në vitin 2040 të ketë 8 miliardë pasagjerë në vit, duke rritur ndjeshëm flotën globale.

Advertisement

Sipas një studimi të Transporte dhe Mjedisit, edhe përdorimi i karburanteve alternative SAF nuk do të eliminojë plotësisht përdorimin e karburanteve fosile, duke treguar sfidat e vazhdueshme për një aviacion më të gjelbër.

Continue Reading

Live ALBUK TV

Albania19 hours ago

U kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri

UK18 hours ago

FOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli

Albania3 days ago

Shqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”

Sports17 hours ago

Ish-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën

UK3 days ago

Rrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër

Albania19 hours ago

Hetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë

Albania1 day ago

VIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë

UK1 day ago

Princi William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim

Albania1 day ago

Anomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor

Albania1 day ago

“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri

Kosova11 hours ago

Këta janë 10 kandidatët më të votuar në Vetëvendosjes

Bota1 day ago

Përplasjet kufitare Taxhikistan-Taleban: Çfarë fshihet pas tyre, pse ndikojnë në Kinë?

UK23 hours ago

Spitalet paralajmëruan se kriza e kujdesit në fund të jetës kërcënon trajtimin

UK23 hours ago

Titujt e gazetave në UK

Bota11 hours ago

Mijëra vetë të ekspozuar ndaj fruthit, alarm në një prej aeroporteve më të ngarkuar në botë

Trending