Disa persona besohet se kanë humbur jetën pasi dy helikopterë të ushtrisë amerikane u përplasën dhe u rrëzuan në Kentaki. Incidenti ka ndodhur rreth orës 21:35 me orën lokale në zonën Trigg County, afër bazës së madhe ushtarake Fort Campbell. Sipas mediave amerikane, 9 persona mund të jenë vrarë.
Guvernatori i shtetit, Andy Beshear, tha se ishte “lajm i rëndë” me “raportet e hershme të një përplasjeje helikopteri dhe priten viktima”.
Edhe ushtria lokale konfirmoi se helikopterët e tyre ishin përfshirë në përplasje. Një zëdhënës i Fort Campbell tha se dy helikopterë HH60 Blackhawk ishin rrëzuar gjatë “një misioni rutinë stërvitor”.
“Statusi i anëtarëve të ekuipazhit nuk dihet për momentin”, deklaroi ai.
Komanda aktualisht është e fokusuar në kujdesin për pjesëtarët e shërbimit dhe familjet e tyre.
Sipas zyrtarëve, ngjarja ishte nën hetim dhe më shumë informacion do të jepet kur të bëhet i disponueshëm.
Baza ushtarake Fort Campbell ndodhet në një distancë të shkurtër nga Trigg County.
Helikopterët e përfshirë janë nga Divizioni 101 Ajror, i cili është i vetmi divizion i sulmeve ajrore në ushtrinë amerikane dhe është dërguar në zonat e konfliktit ndërkombëtarisht.