Veliaj tha se kushdo gjyqtar që do të japë vendime kundër interesit të qytetit të tij duhet ta mendojë mirë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj ka kërcënuar hapur gjyqtarët ditën e sotme. Teksa ndodhej në një aktivitet së bashku me policinë bashkiake, Veliaj tha se kishte marrë informacion se Shoqata e Ndërtuesve do të shkojë sërish në Gjykatë. Pas kësaj, ai shtoi se kushdo gjyqtar që do të japë vendime kundër interesit të qytetit të tij duhet ta mendojë mirë.
‘Dëgjova dje që Shoqata e Ndërtuesve do të shkonte prapë në Gjykatë. Duhet të jetë i mallkuar ai gjyqtar që jep vendime kundër interesit të qytetit të tij. Duhet të jetë një turp dhe kemi parë turpe të tilla. Ne vendosim kangjella aty ku ka pasur aksidente dhe del një gjyqtar jep vendim që të hiqen kangjellat për një lavazh, apo gomisteri pa leje, a thua se larja e makinave dhe gomat janë më të shtrenjta se jeta e njeriut! Këto vendime nuk janë për kangjellat e shtëpisë time. Çdo gjyqtar duhet ta dijë që kur merret një vendim i tillë studiohet nga Policia e Shtetit, nga Policia Rrugore, nga Policia Bashkiake, si një vendburim aksidentesh. Ndaj, thirrja për të gjithë gjyqtarët, teksa studiojnë ankesat e oligarkëve dhe të gjithë atyre që merren me betoniere në ndërtim, duhet të ndajnë mendjen: Janë me popullin, që është shumica, apo me një pakicë të vogël, që po e respektojmë të bëjë biznes?. Do i bëja thirrje çdo gjyqtari ta mendojë mirë kur jep një vendim për të qarkulluar një betoniere, apo kamionët, në kundërshtim me masat që ka marrë Bashkia e Tiranës! Ta mendojë mirë kur heq barriera, kur heq kufizimet dhe kangjellat rrugore, që janë aty për të mbrojtur njerëzit nga makinat! Gjyqtarët do të duhet të respektojnë vullnetin e popullit, jo vetëm se jemi në vitin e rinisë, se nuk e bëjmë vetëm për këtë, por se realisht duhet të sillemi si një qytet europian, ku secili respekton hapësirën e vet,” tha Veliaj.
Shoqata e ndërtuesve ka kërkuar anulim të vendimit të Bashkisë së Tiranës për ndalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë për disa orë në Tiranë. Mjetet e tonazhit të rëndë nuk do lejohen të qarkullojnë në kryeqytet nga ora 7 e mëngjesit deri në 20:00 të mbrëmjes, sipas njoftimit të lëshuar disa ditë më parë nga Bashkia e Tiranës.