Trajneri i Union Berlinit, Nenad Bjelica, është pezulluar me tre ndeshje pas sherrit me lojtarin e Bayern Munichut, Leroy Sane. Teniku kroat doli me karton të kuq në minutën e 74-të gjatë ndeshjes kundër Bayern të mërkurën mbrëma, pasi shtyu Sane, ndërsa sulmuesi nxitonte për të nisur një rivënie anësore. Bjelica, gjithashtu është gjobitur me 25 mijë euro, për shkak të sjelljes që nuk i shkon aspak përshtat lojës më të bukur në botë.
“Ekipi i FC Union Berlin do të duhet të bëjë pa trajnerin Nenad Bjelica për tre ndeshjet e ardhshme të Bundesligës. Gjykata sportive e DFB-së, përveç përjashtimit, e ka gjobitur atë me 25 mijë euro për sjellje josportive” – Shkruhet në njoftimin e Federatës Gjermane të Futbollit.
Për t’u rikthyer te ndeshja e mbrëmshme, Nenad Bjelica pranoi fajin për konfliktin fizik: “Kam reaguar dhe nuk duhej të bëja. Kartoni i kuq ishte absolutisht i merituar”.
Vlen të theksojmë se “timonieri” është në krye të klubit të Bundesligës prej shtatë ndeshjesh. Pas humbjes ndaj Bayernit, takimi i cili u zgjidh nga një goditje e Raphael Guerreiro, Union Berlin endet në “ujëra të turbullta”. Për ta, vetëm vendi i 15-ti në Bundesligë.