Në Shqipëri, ish ministri i Jashtëm dhe anëtari i kryesisë së Partisë socialiste, Ditmir Bushati, flet për nevojën e një “kordoni sanitar” apo filtrave të rreptë për të parandaluar kandidimin e personave me të kaluar të dyshimtë.
Në një intervistë për ‘Zërin e Amerikës’, ai shprehet se “integriteti i jetës publike duhet mbrojtur me çdo kusht dhe refuzimin për ta parë një gjë të tillë, do të mund të quhej pa ngurrim, një katastrofë shtetërore”.
I pyetur më pas për deklarimet e bëra më pas nga sekretari i Përgjithshëm socialist Taulant Balla, sipas të cilit kandidatura e zotit Pjetri në Shkodër ishte propozuar nga ish ministri i Jashtëm, zoti Bushati deklaroi se “Shkodra e di kush e kandidoi Valdrin Pjetrin. Asambleja e Partisë socialiste propozoi 3 kandidatë të tjerë”, u shpreh ai.
Bushati kërkoi gjithashtu kompromis me opozitën jashtëparlamentare pasi, siç tha ai, vendi ndodhet përpara sfidave të rëndësishme.