Partia Demokratike nuk do të marrë nesër pjesë në seancën plenare. Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, deklaroi se opozita nuk do të marrë pjesë në atë që ai e cilësoi si një seancë “të paligjshme”, e thirrur në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.
Sipas Bardhit, seanca është thirrur jashtë ditës normale të zhvillimit të saj, që është e enjtja, dhe me një rend dite minimal që përfshin vetëm miratimin e procesverbalit dhe njoftime.

“Kjo nuk është një seancë normale parlamentare, por një mbledhje e thirrur për axhendën personale të Kryeministrit dhe të Kryetarit të Kuvendit, pa asnjë rend dite të miratuar apo të shpallur zyrtarisht, si dhe në shkelje të procedurave minimale që garanton Rregullorja e Kuvendit. Një parlament pa rend dite, pa debat dhe pa të drejtë fjale për opozitën nuk është më parlament, por një dekor për propagandën e qeverisë. Një dyqan personal që nuk i shërben interesit publik” – shkruan Bardhi në rrjetet sociale.
Pas kësaj deklarate ka reguar kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla që thotë se shpreh ndjen keqardhje për këtë vendim.
Sipas tij “PD ka përdorur pretekstin se në këtë seancë është propozuar nga mazhoranca një projekt-rezolutë për “Për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si Shtet Sponsor i Terrorizmit dhe Shtet që përdor mjete terroriste”. Balla tha se seanca nuk është thirrur në kundërshim me Rregulloren. Por, sipas tij ajo është propozuar në Konferencën e Kryetarëve të datës 18 Shkurt 2026 dhe miratuar me vendim të Seancës Plenare, pra një muaj më parë”.

“Kush ju ka urdhëruar të bojkotoni nesër seancën, nuk jua dashka të mirën ju dhe Shqipërisë. Gëzuar Natën e Kadrit.” – shkruan Balla.
Kësaj deklarate i është përgjigjur sërish kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Ai thekson se “është humbje kohe të sqarosh gënjeshtrat e Taulant Ballës”, duke e akuzuar atë për “deklarata të pavërteta lidhur me arsyet e seancës dhe projekt-rezolutën për Iranin”.
Bardhi thotë në Rendin e ditës që ka njoftuar Kryetari i Kuvendit, nuk është përfshirë miratimi i ndonjë rezolute, por vetëm miratimi i procesverbaleve dhe njoftimet. Ai thekson se rendi i ditës duhet të miratohet me urdhër të kryetarit të Kuvendit dhe të njoftohet të paktën dy ditë përpara zhvillimit të seancës.
“Ne ndjejmë shumë keqardhje, që Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste është bërë strehë e të korruptuarve dhe personave të lidhur me krimin e organizuar. Ndjejmë shumë keqardhje që deputetët karton të këtij grupi parlamentar, e përdorin Kuvendin si bunker të korrupsionit dhe krimit të organizuar” – shkruan Bardhi.


