Partia Demokratike në opozitë në Shqipëri denoncoi nga selia qendrore në Tiranë zëvendësdrejtoren e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Aida Hajna, e cila kandidon për postin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), duke thënë se është e përfshirë në një nga skandalet më të mëdha të Policisë së Shtetit, pikërisht në lirimin e të kërkuarit për trafik droge, Naser Gashi, nga Mitrovica.
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, tha të premten në Tiranë se Aida Hajnaj duhet skualifikuar nga gara për drejtuese të BKH, pasi, sipas tij, ajo “mbrojti policët që liruan trafikantin e drogës, Naser Gashi, dhe pezulloi nga detyra zv.drejtorin e Policisë së Kukësit që e denoncoi skandalin”, raporton KOHA.
“Për postin e drejtuesit të BKH-së nuk ka garë. Qeveria e ka bërë edhe këtë si tenderët: fituesi është i paracaktuar, në mënyrë që qeveria ta përdorë sa herë të dojë dhe si të dojë për t’i mbrojtur ortakët e krimit të organizuar, siç ka bërë edhe në të shkuarën”, tha Paloka, duke shtuar se “me të drejtë, vëzhguesit ndërkombëtarë e kanë cilësuar të papranueshëm dhe antiligjor vendimin për t’i skualifikuar kandidatët e tjerë, duke paraqitur Aida Hajnën si kandidate të vetme”.
Sipas tij, Aida Hajnaj është botërisht e njohur për “një nga skandalet më të mëdha të Policisë së Shtetit, që la të lirë të kërkuarin për trafik droge, Naser Gashi, pasi ai u arrestua rastësisht në Kukës vitin e kaluar”.
“Zëvendësdrejtorja e Përgjithshme e Policisë Shtetit, Aida Hajnaj, e ngarkuar me hetimin e këtij skandali, mbrojti policët që liruan trafikantin e drogës dhe pezulloi nga detyra zv.drejtorin e Policisë së Kukësit që e denoncoi skandalin. Ish zv.drejtori i policisë sot është në azil, ndërsa Aida Hajnaj po bëhet gati të drejtojë BKH-në si garanci për trafikantët e drogës dhe të tjerë kriminelë në ortakëri me pushtetin”, tha Paloka.
Ai shtoi se Hajna duhet skualifikuar, njësoj si të tjerët, dhe gara për kreun e BKH-së duhet të rihapet për të përfshirë policë të ndershëm dhe me integritet. “Gara duhet të jetë e drejtë dhe e pandikuar nga politika, në mënyrë që pandëshkueshmërisë së qeveritarëve dhe zyrtarëve të lartë në Shqipëri t’u jepet fund sa më parë”, tha Edi Paloka.