Çmimet e naftës ranë ndjeshëm me rreth 7% të martën, pasi një ditë më parë kishin arritur nivelin më të lartë në më shumë se tre vjet. Rënia erdhi pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se lufta në Lindjen e Mesme mund të përfundojë së shpejti, duke zbutur frikën për ndërprerje të zgjatura në furnizimin global me energji.
Nafta Brent ra me 6.75 dollarë, ose 6.8%, duke zbritur në 92.21 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate ra me 6.41 dollarë, në 88.36 dollarë për fuçi. Në një moment gjatë ditës, të dyja shënuan rënie deri në 11%.
Edhe vëllimet e tregtimit ranë ndjeshëm. Kontratat Brent zbritën në rreth 213 mijë, niveli më i ulët që nga 27 shkurti, pak para nisjes së konfliktit. Edhe tregtimi i WTI ra në 212 mijë kontrata, niveli më i ulët që nga 20 shkurti.
Por pavarësisht kësaj rënieje, tregjet mbeten në ankth. Në qendër të shqetësimit global është Ngushtica e Hormuzit, një korridor i ngushtë detar mes Iranit dhe Omanit që lidh Gjirin Persik me Gjirin e Omanit. Ajo është dalja kryesore detare për eksportet e naftës dhe gazit nga vende si Irani, Iraku, Kuvajti, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Çmimet e naftës u rritën përkohësisht në nivelin më të lartë që nga viti 2022 të hënën. Sipas Kombeve të Bashkuara, një rritje e tillë mund të shkaktojë një krizë të re të kostos së jetesës, të ngjashme me atë që pasoi pushtimin rus të Ukrainës.
Naveen Das, analist i naftës në Kpler, shprehet: “Rritja e çmimeve është nxitur nga dy faktorë kryesorë. Së pari, pothuajse nuk ka më lëvizje anijesh përmes Ngushticës së Hormuzit, që do të thotë se nafta dhe gazi nga Gjiri Persik nuk po arrijnë në tregjet ndërkombëtare. Së dyti, për shkak se kjo pikë strategjike është praktikisht e mbyllur, vendet e rajonit po shterojnë rezervat në depo dhe po detyrohen të ulin prodhimin.”
Një konflikt i zgjatur mund të godasë edhe tregun global të plehrave kimike dhe të rrezikojë sigurinë ushqimore. Rreth 33% e plehrave kimike në botë, përfshirë sulfurin dhe amoniakun, kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit.
Një luftë e gjatë mund të ringjallë gjithashtu frikën për një krizë të re ekonomike globale, të ngjashme me tronditjet e mëdha të naftës në Lindjen e Mesme në vitet 1970.
Naveen Das shton: “Ajo që konsiderohet një çmim ‘i mirë’ i naftës është shumë subjektive. Por tregjet reagojnë fort ndaj retorikës politike. Kur presidenti Trump thotë se lufta mund të përfundojë shpejt, tregjet presin që trafiku në Ngushticën e Hormuzit të rikthehet dhe furnizimi të rritet, çka ul çmimet. Por nëse retorika përshkallëzohet, rritet frika për sulme ndaj infrastrukturës energjetike, gjë që nënkupton më pak furnizim dhe çmime më të larta.”
Ndërkohë prodhimi i naftës në Lindjen e Mesme është goditur rëndë nga lufta. Arabia Saudite ka ulur vetëm pak prodhimin, në rreth 9.8 milionë fuçi në ditë nga kuota e saj prej 10.1 milionë.
Gjiganti shtetëror Aramco ka nisur gjithashtu të ulë prodhimin në disa fusha nafte, ndërsa rafineria Ras Tanura është pezulluar pas një sulmi.
Në total, prodhimi i naftës në rajon ka rënë me rreth 4.9 milionë fuçi në ditë që nga fillimi i luftimeve. Vetëm në Irak prodhimi është ulur me 2.4 milionë fuçi në ditë.
Sulme me dron kanë goditur edhe infrastrukturën energjetike në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke detyruar mbylljen e rafinerisë së madhe Ruwais. Edhe në Kuvajt dhe Bahrein janë shpallur masa emergjente për prodhimin.
Naveen Das thotë: “Asnjë vend nuk dëshiron të ulë prodhimin e naftës apo gazit. Por nëse nuk mund ta eksportosh përmes Ngushticës së Hormuzit, nuk ke shumë alternativa. Fillimisht përdoren anijet si depo të përkohshme dhe mbushen rezervat tokësore. Por kur edhe këto mbushen, prodhimi duhet të ndalet për të shmangur tepricën e naftës.”
Kriza ka goditur edhe transportin detar. Trafiku në Ngushticën e Hormuzit ka mbetur pothuajse i bllokuar për më shumë se dhjetë ditë. Disa anije janë sulmuar dhe vetëm një numër shumë i kufizuar cisternash ka arritur të kalojë.
Irani e shpalli ngushticën të mbyllur më 2 mars dhe paralajmëroi se do të qëllojë ndaj çdo anijeje që përpiqet ta kalojë.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se marina amerikane mund të eskortojë tankerët përmes ngushticës, por analistët mbeten skeptikë nëse kjo do të jetë e mjaftueshme për të qetësuar tregjet.
Naveen Das vijon:“Ndikimi i kësaj krize do të ndihet nga të gjithë, dhe vendi i parë ku do të shfaqet është pompa e karburantit. Nafta përpunohet për të prodhuar benzinë, naftë për transportin, karburant për avionët, por edhe lëndë të para për plastikën dhe plehrat kimike. Prandaj rritja e çmimeve prek drejtpërdrejt transportin, prodhimin industrial dhe në fund edhe çmimin e ushqimeve.”
Pasojat tashmë po ndihen në ekonominë globale. Shumë rafineri në Azi kanë ulur prodhimin për shkak të mungesës së lëndëve të para.
Koreja e Jugut po shqyrton kufizime për çmimet e karburantit, ndërsa Vietnami planifikon të heqë tarifat e importit për të garantuar furnizim të mjaftueshëm.
Naveen Das shprehet se: “Disa vende, veçanërisht në Azinë Juglindore dhe në Kore të Jugut, kanë rezerva nafte vetëm për 20 deri në 50 ditë. Prandaj po përpiqen të sigurojnë furnizime alternative dhe njëkohësisht po marrin masa për të ulur konsumin e energjisë.”
Ndërkohë Kina, importuesi më i madh i energjisë në botë, duket më pak e ekspozuar ndaj krizës.
Naveen Das thotë “Kina ka grumbulluar rezerva shumë të mëdha nafte, rreth 1.2 miliardë fuçi. Por edhe Pekini po ndjek nga afër situatën në Ngushticën e Hormuzit, veçanërisht nëse konflikti zgjatet.”
Ndërkohë vendet e G7 po diskutojnë mundësinë e përdorimit të rezervave strategjike për të stabilizuar tregjet.
“Rezervat e naftës mbahen pikërisht për situata si kjo. Nëse përballemi me ndërprerje të furnizimit, mund të ndërhyjmë. Aktualisht po diskutojmë për veprime të koordinuara, por ende nuk ka një vendim konkret”, thotë Valdis Dombrovskis.
Por analistët paralajmërojnë se rreziku nuk lidhet vetëm me naftën.
Naveen Das shprehet: “Edhe gazi natyror është në rrezik. Katari, një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë, ka ndaluar një pjesë të prodhimit për shkak të sulmeve dhe vështirësive për eksport. Rreth 20% e gazit natyror të lëngshëm në botë kalon çdo ditë përmes Ngushticës së Hormuzit.”
Për momentin tregjet po reagojnë ndaj çdo sinjali për përshkallëzim ose qetësim të konfliktit. Por sa kohë që Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë e rrezikuar, energjia dhe ekonomia globale do të vazhdojnë të mbeten peng i luftës në Lindjen e Mesme.


