Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani “fajësoi” fushatën elektorale që ka nisur për zgjedhjet e parakohshme në Bullgari, si shkaktaren e tensioneve të fundit mes dy vendeve të Ballkanit.
“Marrëdhëniet e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë janë historikisht të vështira, komplekse dhe në pak periudha në të kaluarën kanë arritur një stabilitet të qëndrueshëm. Shpallja e zgjedhjeve të parakohshme në Bullgari dhe tensionimi politik këtu në Maqedoninë e Veriut ka çuar në krijimin e kësaj situate. Këto situata zakonisht i nxisin edhe më tepër debatet e tilla”, tha Osmani.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryediplomati maqedonas u shpreh se mosmarrëveshjet duhet zgjidhur me dialog për të mos iu lënë hapësirë përfituesve politikë dhe provokatorëve.
“Nëse reagimi bullgar lidhet me incidentin në Ohër, mund të konstatohet si disproporcional sepse shteti ka ndërmarrë të gjitha masat e duhura për ta izoluar atë rast dhe për t’i identifikuar, për t’i nxjerrë para drejtësisë dhe për t’i dënuar autorët. Tani duhet një ulje e tensioneve dhe rikthim i komunikimit normal mes dy shteteve që mos t’u lëmë hapësirë përfituesve politikë dhe provokatorëve që nga kjo të ushqehen dhe të ndërtojnë karrierat e tyre politike”, shtoi ai.