Në 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në Prizrenin historik u përurua shtatorja e luftëtarit të madh Tahir Sinani. Në këtë ditë të madhe u mblodhën shumë miq, dashamir e familjarë në shenjë përkujtimi të luftëtarit i cili dha shumë për kombin shqiptar.
Të pranishmit me rastin e përurimit të kësaj shtatoreje të heroit të kombit nuk kursyen fjalë të mëdha dhe lëvdata për kontributin e tij madhështor në shërbim të luftës për çlirim të popullit shqiptar, raporton KosovaPress.
Bekim Kastrati thotë se në këtë ditë të madhe të kombit shqiptar nuk ka kursyer kohën dhe mundin që të vijë nga Lipjani me të vetmin qëllim për të marrë pjesë në zbulimin e shtatoren përkujtimore të Tahir Sinanit.
Ai thotë për KosovaPress se ka qenë pjesë e luftës së bashku në njësitin e Tahiri Sinanit gjatë luftës së madhe të UÇK-së në Kosovë.
‘Festa e 28 Nëntorit përfaqëson shumë gjëra për mua dhe kombin shqiptar, prej Gjergj Kastriotit, paraprijësit tonë legjendar dhe mbretërve ilirë, ngritja e flamurit kuq e zi, mandej, lufta e UÇK-së. Tahir Sinanin, një pasardhës, iliro-dardan-arbëror, kam pasur nderin ta takoj gjatë luftës. Kam qenë në njësitin e tij, është një njeri i pavdekshëm, lavdi… Nuk ka fjalë që e përcakton kontributin e tij, edhe ma merr mendja se ashtu është. Veprën e tij heroike, stoike prej nënës Shqipëri me ardhur në Kosovë është një amanet’, tha Kastrati.
Ai u ka bërë thirrje brezave të rinj, që mos ta harrojnë të kaluarën historike të popullit shqiptar dhe njerëzve që dhanë jetën për lirinë që ne gëzojmë.
Qytetari tjetër, Ali Mejzinolli, nuk kurseu fjalë emocionale për ish-komandantin e UÇK-së Tahir Sinanin dhe kontributin e tij në luftën çlirimtare.
‘Tahir Sinanin e kujtoj, si një njeri gjigand në mesin e popullit tonë, një njeri që ka dhënë shumë për këtë liri që ne sot po e gëzojmë dhe një njeri që ka mbetur në zemrat e çdo shqiptari, sikur që kam qenë bashkë me të në luftë, e kam pasur fatin ta kem komandant në kohën e luftës. Bashkëpunimi në kulturë dhe traditë i shqiptarëve është një rëndësi e veçantë për popullin tonë ku duhet kontribuar edhe më shumë’, porosit Mejzinolli.
Ndërsa, Lulzim Shala për KosovaPress u shpreh se Tahir Sinani ka dhënë kontributin e tij për kombin shqiptar.
‘Përveç meje janë edhe gjithë këta familjar krenarë, që e ngritëm Tahir Sinanin në Prizren. Duhet të bashkohemi edhe jemi të bashkuar, por duhet të bashkohemi edhe më tepër’, tha Shala.
Ndërsa, Jeton Zogaj, ndau për KosovaPress nderimin dhe respektin e përjetshëm ndaj Tahir Sinanit.
‘E konsiderojmë si luftëtar, si epror ushtarak i cili ka ardhur nga Shqipëria dhe ka kontribuar për UÇK-në, në tri luftëra që janë zhvilluar në territoret tona rreth Kosovës dhe Shqipërisë… Zemra na u bë mal, sepse prania dhe prezenca e popullit e njeh edhe luftën e tij dhe sakrificën e tij, dhe jam krenar që e kam njohur dhe jemi rreshtuar në radhët ku ka vepruar Tahir Sinani në Brigadën 121 Ismet Jashari Kumanova… Ka ardhur dita që ta njohim vetëm një komb, jo të ndarë në dy, se po mendonin dikush se kombi kosovar, ajo nuk ekziston, e kemi një dhe ajo është nëna Shqipëri’, tha Zogaj.
28 Nëntori shënon daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pavarësinë e Shqipërisë dhe ditëlindjen e komandantit legjendar, Adem Jashari.




