Përvjetori i vrasjes së Luan Haradinajt, Kurti: Gjaku i tij skuqi gurët e kufirit!

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar rënien në luftë të Luan Haradinajt, në përvjetorin e tij të 27-të.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti shkruan se Luani me trimërinë dhe vendosmërinë e tij ishte kthyer në një ‘luan’ të UÇK-së.

Kurti tha se Luan Haradinaj me vëllezërit dhe shokët e tij kishin kohë që luftonin për krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur ajo ende nuk ishte formuar.

Ai tha gjithashtu se gjaku i Luanit ‘skuqi gurët e kufirit që ai i kishte ëndërr t’i shembte mes barrierash që duheshin eliminuar në rrugën e vështirë për bashkimin e shqiptarëve’.

Reagimi i Kurtit:

Deri atë ditë, gjatë katër viteve të fundit të jetës së tij, Luan Haradinaj e kishte kaluar shumë herë kufirin jugosllav të vendosur dhunshëm mes Shqipërisë dhe Kosovës. Atë ditë, ai po i printe grupit të luftëtarëve që po hynin nga Shqipëria në Kosovë, nga fshati Vlahne e Hasit në drejtim të Kuzhinit. Data ishte 6 maj 1997, ditë e martë.

Në grupin që po i printe Luani, ishte vëllai i tij, Ramushi, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Ilaz Kodra, Abedin Rexha, Ali Ahmeti, Emrush Xhemajli, Rafet Rama, Gani Rama e Selim Krasniqi. Kur iu afruan zonës kufitare në Qafëmullar, ata u ndeshën me ushtrinë jugosllave, në një terren të zhveshur dhe në një reliev të egër malor. Luani mbeti i vrarë në vend, kurse Rafeti, Fehmiu dhe Ramushi u plagosën. Gjaku i Luan Haradinajt, i skuqi gurët e kufirit që ai i kishte ëndërr t’i shembte mes barrierash që duheshin eliminuar në rrugën e vështirë për bashkimin e shqiptarëve.

Nga ajo kohë do të duheshin edhe gjashtë muaj që Ushtria Çlirimtare e Kosovës të shfaqej publikisht, por Luani me vëllezër dhe shokë kishte vite që punonin për atë ditë. Me aktivitetet dhe ndërlidhjet mes grupeve, me aksionet e armatosura, me furnizimet me logjistikë dhe me shembullin e angazhimit të tij me përkushtim e trimëri, Luani i Gllogjanit, ishte kthyer në luan të UÇK-së. Sot u bënë 27 vite nga dita e rënies së Luanit, në një kohë kur ai ishte vetëm 23 vjeçar.

Lavdi Luan Haradinajt për veprën e tij patriotike mes shokësh dëshmorë të rënë për lirinë e Kosovës!

Share This Article