Për shkak të përvojës si ushtarak në Norvegji, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, është vlerësuar nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një takim që ky pati me kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë.
Siç ka shkruar Ministria e Mbrojtjes në një njoftim për media, Stoltenbergu ka përgëzuar Kurtin për emërimin e Mehajt ministër “duke shprehur besim në përvojën e tij në lidership dhe karrierën e tij profesionale”.
Ndërkaq për këtë, ministri Mehaj ka thënë se ndihet i privilegjuar për vlerësimin që ka bërë Stoltenbergu, që vjen nga i njëjti vend ku Mehaj ka zhvilluar karrierën ushtarake.
“Bashkë me të gjithë qytetarët e vendit tim, ju jemi përjetësisht mirënjohës për lidershipin tuaj të shkëlqyeshëm në krye të aleancës më të madhe që mbron vlerat e paqes dhe demokracisë botërore. I jemi mirënjohës përjetësisht NATO-s për gjithë mbështetjen në zhvillimin e vendit tim, si dhe angazhimin në sigurinë e tij. Unë jam duke dhënë dhe do të jap gjithçka nga kapacitetet dhe potenciali im që synimin e Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të mi ta çoj në vend me synim në integrim të plotë në NATO”, ka thënë Mehaj në një postim në Facebook të premten.
Mehaj u bë ministër i Mbrojtjes pas ardhjes së Vetëvendosjes në pushtet. Ai ka zhvilluar karrierën në Oslo të Norvegjisë ku nga viti 1999 ishte pjesë e forcave të armatosura norvegjeze duke shërbyer në misione të ndryshme paqeruajtëse si në Kosovë, Irak, Afganistan, Çad e Afrikë Qendrore.
Në takimet që pati në Kosovë, Stoltenberg u shpreh se marrëveshja politike me Serbinë është kyçe për progresin e Kosovës në rrugën drejt integrimeve euroatlantike.