Pesë futbollistë italianë janë përfshirë në ekipin më të mirë të Euro 2020.
UEFA, si organizatore e Evropianit, të martën ka publikuar ekipin më të mirë. Ai është përzgjedhur nga vëzhguesit teknikë të UEFA-s, pra nga emra të njohur të futbollit.
Në portë është përzgjedhur Gianluigi Donnarumma, që në fakt u shpall edhe lojtari më i mirë i Evropianit. Mbrojtja përbëhet nga Kyle Walker (Angli), Leonardo Bonucci (Itali), Harry Maguire (Angli) dhe Leonardo Spinazzola (Itali). Mesfusha me tre lojtarë përbëhet nga danezi Pierre-Emile Hojbjerg, Jorginho i Italisë dhe Pedri i Spanjës. Ndërsa në sulm janë përzgjedhur Federico Chiesa (Itali), Romelu Lukaku (Belgjikë) dhe Raheem Sterling (Angli).
Vëzhguesit teknikë të UEFA-s janë: Packie Bonner, Esteban Cambiasso, Fabio Capello, Cosmin Contra, Corinne Diacre, Jean-François Domergue, Dushan Fitzel, Steffen Freund, Frans Hoek, Aitor Karanka, Robbie Keane, Gines Melendez, David Moyes, Mixu Paatelainen, Peter Rudbæk e Willi Ruttensteiner.