Pesë orë tensione në protestë, dhjetë të plagosur

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një polic, pasi kishte thyer orën policore dhe nuk iu bind urdhrit për të ndaluar ka shkaktuar 5 orë trazira në kryeqytet.

Kryeministria, ministria e Brendshme, Bashkia e Tiranës, por edhe sheshi “Skënderbej” ku ishte vendosur pema e Krishtlindjes u bënë objekte të dhunës e shfryrjes së zemërimit. Policia kishte marrë urdhër të mos ndërhynte, vecse në momentin kur protestuesit tentuan të shkallmojnë derën hyrëse në kryeministri.

Ndërsa politika kërkon dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, të rinj dhe anëtarë të Shoqërisë Civile, por edhe qytetarë të thjeshtë protestuan prej pesë orësh, fillimisht te ministria e Brendshme e më pas tek kryeministria.

Situata u tensionua disa herë te ministria e Brendshme ku mbeti i plagosur gazetari Andi Llabuti, një polic, por edhe u lëndua këngëtari Stresi. Protestuesit qëlluan me sende të forta edhe dritaret e këtij institucioni.

Më pas turma u zhvendos tek Kryeministria, ku zemërimin e shfrynë fillimisht tek pema e Krishtlindjes, të cilën e dogjën e rrëzuan, për të mësyrë drejt derës hyrëse. Protestuesit nuk i kanë ndalur as policët me të cilët patën konfrontime të forta.

Kur u duk se situata po përkeqësohej, e po qëllohej me tulla, gurë e sende të forta dera e kryeministrisë, ndërhynë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë që e shpërndanë turmën me gaz lotsjellës.

Deri më tani siç konfirmohet zyrtarisht janë të plagosur 9 policë gjatë përplasjeve me protestuesit dhe 1 qytetar.

Pas kryeministrisë, protestuesit i vunë flakën edhe pemës së Krishtlindjes në sheshin “Skënderbej”. Dhunuan sërish ministrinë e Brendshme, bashkinë, por edhe një makinë policie në Bluvevardin “Dëshmorët e Kombit”. Teksa shpërndaheshin bllokuan edhe rrugën “Myslym Shyri” ku i vunë flakën disa kazanëve me plehra./BallkanWeb/

Share This Article