Pesë raste të reja me koronavirus janë shënuar sot në Kosovë, ndërkaq tre persona janë konfirmuar të shëruar. Kështu ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.
Sipas njoftimit, sot janë marrë 294 mostra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.
“Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Fushë Kosovës 2 raste (sipas vendbanimit: 2 raste Fushë Kosovë), komuna e Vushtrrisë 1 rast (sipas vendbanimit:1 rast Oshlan), komuna e Prizrenit 1 rast (sipas vendbanimit:1 rast Tupec) dhe 1 rast me vendbanim në Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq njoftohet se sot janë shëruar 3 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 874 raste.
“Nga data 08 shkurt deri më 04 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 15.880 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.147 raste, me gjithsej 30 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”, thuhet tutje në njoftim.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike edhe më tutje ka bërë thirrje që qytetarët të mos dalin pa masa mbrojtëse.
Ky institut thotë se situata nuk është stabile në disa komuna të Kosovës, prandaj ka bërë thirrje për kujdes.
“Duke qenë se situata epidemiologjike ditët e fundit paraqet rritje të rasteve pozitive dhe nuk është stabile në disa komuna të Kosovës, duhet zbatuar rekomandimet për kujdes të shtuar në këtë fazë, duke vënë në kontroll mjekësor çdo person që hy në territorin e Kosovës”, thuhet në njoftim. “Pakujdesia e disa qytetarëve në moszbatimin e masave mund të shtojnë rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve. IKSHPK rekomandon që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse duke u respektuar në mënyrë strikte distancimi fizik, përdorimi i maskave, dezinfektimi dhe ajrosja duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura”.
Ndërkohë që është bërë thirrje që të përcillet zbatimi i rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHPK-së nga inspektoratet dhe organet e rendit dhe të merren masa përgjegjësie për të gjithë në rast të mos zbatimit eventual të këtyre rekomandimeve.