Pesë vende evropiane, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Suedia dhe Holanda, kanë akuzuar Rusinë për helmimin dhe vrasjen e liderit opozitar rus Alexey Navalny në vitin 2024, duke iu referuar rezultateve laboratorike nga mostra të marra nga trupi i tij.
Në një deklaratë të përbashkët të bërë gjatë Munich Security Conference, qeveritë e pesë vendeve thanë se analizat ‘konfirmojnë përfundimisht’ praninë e toksinës vdekjeprurëse epibatidine. Kjo substancë gjendet natyrshëm tek disa bretkosa helmëtare në Amerikën e Jugut, por mund të prodhohet edhe në laborator.
Sipas deklaratës, Rusia kishte ‘mjetet, motivin dhe mundësinë’ për ta administruar këtë helm. Pesë shtetet njoftuan gjithashtu se do ta referojnë çështjen pranë Organisation for the Prohibition of Chemical Weapons (OPCW) për shkelje të Konventës për Armët Kimike. Deri tani nuk ka pasur koment zyrtar nga organizata.
Navalny, i njohur për fushatën kundër korrupsionit dhe protestat anti-Kremlin, vdiq më 16 shkurt 2024 në një koloni penale në Arktik, ku po vuante një dënim 19-vjeçar që ai e cilësonte të motivuar politikisht. Autoritetet ruse kanë deklaruar se ai u ndje keq pas një shëtitjeje dhe vdiq për shkaqe natyrore, duke mohuar çdo përfshirje.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha për agjencinë shtetërore RIA Novosti se do të komentojë vetëm pasi rezultatet e testeve të bëhen publike, duke i cilësuar deklaratat aktuale si përpjekje për të shpërqendruar vëmendjen nga problemet e Perëndimit.
Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, e cila u takua me bashkëshorten e Navalnyt, Yulia Navalnaya, në Mynih, deklaroi se gjetjet e reja ‘hedhin dritë mbi planin barbar të Kremlinit për të heshtur zërin e tij’. Ndërkohë, ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot shkroi në rrjetin social X se helmimi i dyshuar tregon se Vladimir Putin është i gatshëm të përdorë armë biologjike kundër popullit të tij për të qëndruar në pushtet.
Navalnaya deklaroi se vrasja e bashkëshortit të saj është tashmë një ‘fakt i provuar shkencërisht’, duke theksuar se dy vite më parë kishte akuzuar publikisht Putinin, por atëherë, sipas saj, ishte vetëm bindje, ndërsa sot mbështetet në prova shkencore.
Navalny kishte qenë më parë objekt i një helmimi me agjent nervor në vitin 2020, për të cilin fajësoi Kremlinin. Ai u trajtua në Gjermani dhe, pas rikthimit në Rusi, u arrestua menjëherë dhe u burgos.
Rusia ka mohuar gjithashtu përfshirjen në helmimin e ish-agjentit rus Sergei Skripal në Britani në vitin 2018, si dhe në vdekjen e Alexander Litvinenkos në Londër në vitin 2006, raste për të cilat hetime britanike kanë arritur në përfundime që implikojnë agjentë rusë.

