Peter Zingraf, ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Peter Zingraf është Ambasadori i ri gjerman në vendin tonë. Diplomati paraqiti sot Letrat Kredenciale te Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen 30-vjeçare të Gjermanisë për zhvillimin e Shqipërisë dhe integrimin e saj në strukturat euro-atlantike.

“Shqipëria do vijojë të mbështetet me besim dhe bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë tek Gjermania mike dhe partnere strategjike. Ne mirëpresim angazhimin e sinqertë dhe vendimtar të Bundestagut për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën drejt çeljes së negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian dhe për përparimin e vendit tonë drejt standardeve demokratike europiane”, theksoi ndër të tjera Presidenti Meta.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen për vëmendjen e madhe që Gjermania u kushton marrëdhënieve me Shqipërinë, si edhe zhvillimeve në rajon, duke vlerësuar vizionin e palëkundur të Kancelares Angela Merkel për integrimin e vendit tonë dhe të Ballkanit Perëndimor në BE.

Duke i përcjellë Presidentit Meta përshëndetjet e Presidentit të Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Ëalter Steinmeier, Ambasadori Zingraf u shpreh se ndjehet mjaft i lumtur që fillon detyrën si Ambasador i Gjermanisë në Shqipëri.

Peter Zingraf pason në këtë detyrë Susanne Schütz, e cila përmbylli në korrik misionin tre vjeçar në Shqipëri. Pak ditë para largimit ajo u takua dhe zhvilloi biseda me zyrtarë dhe politikanë.

Me rastin e lamtumirës ajo deklaroi se gjatë punës së saj si diplomate ka eksploruar një vend të mrekullueshëm dhe me njerëz të përzemërt sikurse ajo vetë cilëson./Ora News/

Share This Article