Emigrantët e Italisë kërkojnë eliminimin e masave shtrënguese anti Covid, të lëvizjes për e nga Shqipëria.
Me anë të një peticioni online, që deri më sot është firmosur nga rreth 7000 persona kërkohet që Italia të respektoj kriteret e rekomandimet e Këshillit të Evropës, marrë më datë 18 qershor 2021, ku vendeve anëtare, iu kërkua heqja graduale e masave kufizues të lëvizjes për persona që banojnë në vende të treta, përfshirë dhe Shqipërinë.
Sipas vendimeve të fundit të marra nga qeveria italiane deri më datë 31 korrik 2021, do të lejohet hyrja në Itali vetëm për ata shqiptarë që kanë leje qëndrimi afatgjatë, si dhe për familjarët e parë të tyre.
Ndërsa për shqiptarët e tjerë rrugëkalimi mes dy vendeve do të mundësohet vetëm për arsye shëndetësore të provuara, motive studimi e pune, si dhe shkaqe urgjence absolute.
Për këta persona hyrja në territorin italian do të lejohet vetëm pas dëshmisë së një tamponi molekular ose antigjenik negativ, jo më shumë se 72 orë para nisjes, si dhe detyrimin e një autokarantinimi 10 ditor.