Kryeministri bullgar në largim, Kirill Petkov, ka bërë thirrje që Maqedonia e Veriut të jetë e guximshme dhe ta pranoj marrëveshjen e arritur me Francës, ngase ajo do t’i hap dyert e BE-së.
Petkov po ashtu i ka thënë kolegut të tij Dimitar Kovaçevski se nëse e bën këtë, duhet të presë që të rrëzohet qeveria.
“Në fund të ditës e di së është shumë e vështirë politikisht. E di se rreziku për rrëzimin e Qeverisë është i madh. Si politikan duhet të marrësh vendim, cili është roli im? A është roli im stabilitet? Ose roli im është që të udhëheq kombin dhe të bëj një hap para. Mendoj se ky është vendimi, ndërsa Dimitar Kovaçevski duhet ta bëj këtë tani. Po të jem në vendin e tij nuk do të kisha menduar dy herë. Nëse hynë në histori me hapjen e dyerve të vendit për BE-në, mendoj se ky është rezultati më i mirë për një kryeministër”, ka thënë Petkov për Kovaçevskin.
Petkov ka thënë se propozimi francez duhet të shihet si “evropian” dhe jo si marrëveshje mes Bullgarisë dhe fqinjit të saj.
Sipas tij, Bullgaria për një dekadë ka qenë përkrahëse e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimore në BE, por se tani situata është komplikuar për shkak të drejtave të pakicës bullgare në Maqedoni, të cilët sipas tij kanë nevojë për mbrojtje më të madhe kushtetuese. Ndryshe, sot Kuvendi bullgar me shumicë votash i dha dritë të gjelbër kryeministrit për ta larguar veton për Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në BE.