Profesor Mentor Petrela qëndron në të njëjtën linjë mendimi me epidemiologun Eduard Kakarriqi, në lidhje me përhapjen e koronavirusit në Shqipëri. Sipas tyre, Covid-19 mund të ketë ardhur në Shqipëri që prej muajit janar.
“Po, mbështes bindjen e paraqitur nga profesor Kakarriqi, mbi mundësinë e qarkullimit të virusit në muajt janar dhe shkurt”, ka thënë Petrela për Panorama.
Sipas profesor Kakarriqit, simptomat që kanë manifestuar pacientët gjatë asaj periudhe, ngrenë hije dyshimi mbi mundësinë e depërtimit të këtij virusi disa javë më parë konfirmimit të rastit të parë nga autoritetet shëndetësore.
Temperatura e zgjatur, sipas profesorit, nuk është karakteristikë e gripit sezonal. Nga ana tjetër, mungesa e kiteve për analiza, si rezultat i mungesës së një përkufizimi mbi rastin, ajo që njihet edhe si “case definicion” nga ana e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ka bërë që të gjitha rastet e konstatuara të skedohen si raste gripale dhe jo si raste “të dyshuara me koronavirus”.
“Kanë qenë këto shenjat e para, të cilat i kam hasur edhe nga përvojat e individëve të ndryshëm, të cilët po ashtu e kanë konfirmuar këtë pas intervistës sime. Kjo do të thotë që ka gjasë që qarkullimi i virusit të ketë filluar në vendin tonë që nga gjysma e dytë e muajit janar”, kja thënë Kakarriqi.