Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se nuk janë prishur me Amerikën, por se kanë disa dallime.
Megjithëkëtë teksa ka komentuar vendimin për pezullim të dialogut të planifikuar strategjik nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, Kurti ka thënë se nuk do t’i minimizojë zhvillimet e fundit.
“Nuk jemi prishur me Amerikën, por kemi disa dallime. Ndonëse opozitarët po e stërmadhojnë në dritë negative çdo ndodhi për raportet e Qeverisë sonë me Qeverinë amerikane, unë nuk dua t’i minimizojë zhvillimet e fundit, i siguroj qytetarët tanë se qeveria jonë i trajton seriozisht deklaratat dhe qëndrimet e Ambasadës Amerikane”, është shprehur Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Ai ka thënë se gjatë mandatit qeverisës janë angazhuar që t’i forcojnë marrëdhëniet SHBA-Kosovë, në tri shtylla, diplomaci, mbrojtje dhe zhvillim.
“Në shtyllën e diplomacisë kemi disa dallime dhe ato shumë shpesh kanë të bëjnë me qëndrimet tonë në raport me Serbinë dhe veprimet ndaj strukturave të saj ilegale në Kosovë. Përderisa pajtohemi për vlera, interesa dhe qëllime, nganjëherë jo edhe për çështje operacionele dhe taktike”, ka theksuar Kurti.
Ai ka thënë se përkundër ngecjeve në shtyllën e diplomacisë, ka ecje substanciale në shtyllën e mbrojtjes dhe të zhvillimit.
“Bashkëpunimi ushtarak po vazhdon, me ç’rast blerja e pajisjeve dhe municioneve me administratën aktuale po shkon edhe më mirë, kurse në shtyllën e zhvillimit Qeveria jonë hoqi tarifën 10% në produktet me origjinë nga SHBA-ja, Administrata e re atje vazhdoi Programin kompakt të sfidave të mijëvjeçarit (MCC) për Republikën e Kosovës”, ka theksuar Kurti.
Ai ka thënë se nuk është pezulluar komunikimi me Ambasadën amerikane. “Duam të qartësojmë se bëhet fjalë për pezullimin e planifikimit për dialog strategjik, jo të dialogut strategjik si proces të nisur e as të komunikimit të rregullt që ne e kemi”, ka deklaruar Kurti.