Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar pezullimin e programit të lotarisë së Kartës së Gjelbër (Diversity Visa-DV1), pas sulmit të armatosur në Universitetin Brown javën e kaluar, ku humbën jetën dy persona dhe u plagosën disa të tjerë.
Vendimi, i konfirmuar nga Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Kristi Noem, u mor ‘për të shmangur çdo rrezik të mëtejshëm për qytetarët amerikanë nga ky program,’ sipas saj.
Autoritetet amerikane raportojnë se i dyshuari kryesor për sulmin, 48-vjeçari portugez Claudio Neves Valente, u gjet i vdekur të enjten në një depo në Salem, New Hampshire.
Valente kishte hyrë në SHBA në vitin 2017 përmes programit të vizave të lotarisë së diversitetit dhe kishte marrë Kartën e Gjelbër. Policia beson se ai kreu vetëvrasje me armë zjarri.
Zyrtarët dyshojnë gjithashtu se Valente është përfshirë në vrasjen e profesorit të MIT, Nuno F. Gomes Loureiro, 47 vjeç, i cili u qëllua në shtëpinë e tij në Brookline vetëm dy ditë para sulmit në Universitetin Brown.
Të dy personat kishin studiuar së bashku në Portugali në fund të viteve 1990. Prokurori i Përgjithshëm i Rhode Island, Peter Neronha, tha se prova e gjetur në një automjet pranë vendit ku u gjet i dyshuari përputhej me vendngjarjen në Brown, dhe identifikimi i tij u realizua pas një hetimi gjashtë-ditor me ndihmën e kamerave dhe informatave nga publiku.




