Autoritetet e Policisë greke, në vijim të masave të marra nga qeveria greke mbi përballimin e situatës së krijuar për shkak të pandemisë COVID-19, kanë njoftuar palën shqiptare për shtyrjen e afatit të bllokimit të Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, deri në datën 8 shkurt.
Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë informoi sot se deri në këtë datë, dalja nga Shqipëria dhe hyrja drejt Greqisë nëpërmjet kësaj pike kalimi, vijon të jetë e mbyllur.
Ndërsa, bëhet e ditur se dalja nga Greqia dhe hyrja drejt vendit tonë, do të jetë e lejuar nga ora 06:00 deri në orën 22:00, vetëm për këmbësorët dhe mjetet e tonazhit të rëndë (kamiona mallrash).
Mjetet si autobusa, taksi, apo çdo mjet tjetër i transportit të pasagjerëve, bën të ditur DVPK, nuk do të lejohet të kalojë.
Edhe Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme theksoi se “ky vendim i qeverisë greke, ka ardhur në vijim të masave të marra për përballimin e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19”.“Deri në këtë datë, dalja nga Shqipëria dhe hyrja drejt Greqisë nëpërmjet kësaj pike kalimi, vijon të jetë e mbyllur. Ndërsa, dalja nga Greqia dhe hyrja drejt vendit tonë do të jetë e lejuar nga ora 06:00, deri në orën 22:00, vetëm për këmbësorët dhe mjetet e tonazhit të rëndë (kamiona mallrash)”, thuhet në njoftimin për shtyp të MEPJ-së./ATSH/