Felipe Massa kërkon në tavolinë titullin kampion për pilotë të vitit 2008, duke ankimuar garën e Singaporit të Botërorit të Formula 1 të atij viti.
Nelsinho Piquet, Flavio Briatore dhe Pat Symonds ranë dakord që Piquet të përplasej me murin me dashje, në mënyrë që Alonso të hynte për të ndërruar gomat nën regjimin e makinës së sigurisë (Safety Car).
Kjo bëri që Ferrari të hynte në panik dhe mekanikët e tij të nxirrnin Felipe Massën me tubin e naftës të ngjitur në makinë, duke humbur mundësinë për të bërë mirë në këtë garë.
8 muaj më vonë, FIA dënoi Piquet, Briatore dhe Symonds për mashtrim sportiv. Ndërsa një muaj më parë, Bernie Ecclestone, i cili në atë kohë ishte President i F1, zbuloi se kreu i FIA-s, Max Mosley, ishte në dijeni të gjithçkaje, por vendosi që të mos bënte asgjë për të shmangur skandalet. Hetimet u nisën në vitin 2009, kur titullin e kishte fituar Lewis Hamilton.
“Gara e Singaporit nuk duhej marrë parasysh. Është gjëja e vetme për të cilën pendohem në kohën kur isha President. Atë vit, titulli duhet të shkonte për Felipe Massa”, tha 92-vjeçari.
Pas këtyre deklaratave, ish-piloti i Ferrarit po shikon çdo mundësi për të fituar titullin në tavolinë. Për “motorsport.com”, braziliani tha: “Rregulli thotë që kur piloti merr trofeun e kampionit, gjërat nuk mund të ndryshojnë më, edhe nëse vërtetohet që është bërë padrejtësi.
Atëherë, avokatët e Ferrarit ma sqaruan këtë rregull. Edhe avokatë të tjerë më thanë që nuk mund të bëja asgjë. Por, pas 15 vitesh, dëgjojmë ish-kreun e F1 që thotë se me vetëdije nuk bënë asgjë për të vënë drejtësinë në vend. Është shumë e trishtë të dëgjoj që rezultatet e një gare të caktuar nuk duhet të ishin marrë parasysh dhe sot do të kisha një titull.
Unë isha ai që humba më shumë nga gara e Singaporit. Do të studioj gjithçka, ligje dhe rregulla. Do të shoh se çfarë mund të bëj. Nuk do të kërkoj dëmshpërblim, dua vetëm titullin botëror dhe drejtësinë”.