Në Vacarisses, një qytet në rajonin spanjoll të Katalonjës me pamje nga vargmalet malore të Montserratit, banorët po përgatiten për një verë tjetër të vështirë. Edhe këtë vit banorëve u është bërë thirrje që të kursejnë ujin dhe sidomos atë të pishinave. Kryebashkiaku Antoni Masana i quajti kufizimet një masë të nevojshme dhe theksoi se autoritetet do të punojnë për të hapur puse të reja.
Vacarisses është një vend i famshëm tanimë për numrin më të madh të pishinave që ka. Me një popullsi prej 7,000 dhe më shumë se 1,500 pishina janë ndërtuar, pra praktikisht një për çdo pesë banorë. Shumë njerëz erdhën në këtë qytet që ndodhet afër Barcelonës në vitet 1970 për të patur një shtëpi të madhe me kopshte të mrekullueshme dhe pishina. Por tani kjo mënyrë jetese është nën kërcënim pasi një thatësirë e madhe i detyron autoritetet të marrin masa gjithnjë e më të rrepta për të kursyer ujin.
Antoni Masana, kryetari i Vacarisses: Modeli u krijua nga regjimi i Frankos dhe ai i post Frankos, pa ligje urbanistike duke lejuar të ndërtoheshin ndërtesa në mënyrë të çrregullt të cilat u rritën shumë në numër. Të gjitha këto lagje u legalizuan më vonë, por sigurisht që kanë modelin e shtëpisë me pishinë, kopsht dhe konsumi i ujit është padyshim më i lartë se ai i një banese normale.
Masat e reja do t’i ndalojë banorët në rajonin verilindor të Katalonjës, përfshirë Vacarisses, të rimbushin pishinat bosh, mes frikës se vera e këtij viti pritet të jetë edhe më e nxehtë se ajo e një viti më parë. Menaxhimi i ujit po bëhet një temë e nxehtë ndërsa Spanja po përgatitet për zgjedhjet rajonale këtë muaj. Gjithashtu në presion janë edhe fermerët të cilët po përballen me burime të pakta ujore, dhe një pjesë e të korrave të tyre janë dëmtuar rëndë.
Antoni Masana: Për mua, sfida është se si të përshtasim modele të reja për të kursyer ujin. Ekziston mundësia që njerëzit mund ta mbajnë ujin në pishina gjithmonë duke përdorur mbulesa termike që uji te avulloje me pak. Po ashtu ata mund të mbjellin bimë që nuk kanë shumë nevojë për ujë pra me pak fjalë njerëzit duhet të përshtaten me një realitet të ri.
Katalonja është një nga rajonet që aktualisht po përballet me një thatësirë ekstreme, me disa rezervuarë me vetëm 7% të kapacitetit të tyre. Ky prill ishte më i ngrohti dhe më i thati në Spanjë që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1961, sipas agjencisë meteorologjike AEMET. Banorja vendase Antonia Leon Garcia thotë se numri i pishinave është ekzagjeruar.
Antonio Leon Garcia: Kur shkoni për të bërë pazar, në supermarket ose në Terrassa, njerëzit ju thonë: Oh, po, ti jeton aty ku ka 30,000 pishina, apo jo? Është një stigmë pa kuptim. Shumica e pishinave në qytet rimbushen rrallë dhe, nëse janë, normalisht është me ujë që futet me kamion nga jashtë qytetit.
Pishinat po përdoren si kokë turku për mungesën e politikës koherente të ujit në Spanjë, shprehen banorët. Sipas tyre autoritetet duhet të investojnë në më shumë impiante shkripëzimi dhe pastrimi për të plotësuar rezervuarët. Ndërsa përdorimi i ujit për të mbushur pishinat gjatë një thatësire është i papërgjegjshëm, pjesa më e madhe e burimeve ujore të Spanjës merren nga sektori i bujqësisë, pra gati 70% e ujit.
Spanjës i mungojnë politikat e centralizuara mbi menaxhimin e ujit që mund të ofrojnë stimuj për fermerët që të përdorin ujë të dekripëzuar për ujitje. Në ishullin e Majorkës, mesatarisht 17 pishina ndërtoheshin në javë, ose 880 në vit, në vitet 2015-2021, sipas një studimi.
Macia Blazquez, profesoreshë e gjeografisë në Universitat de les Illes Balears, është shprehur se ndërtimi i një numri kaq të lartë të pishinave erdhi pasi evropianët veriorë ndërtuan shumë shtëpi në këto qytete. Në Katalonjë, ligji i ri bëri një përjashtim për pishinat publike, ose ato në hotele ose komplekse të mëdha ndërtesash, pas presionit nga kryetarët lokalë, të cilët argumentuan se pishinat publike veprojnë si strehë klimatike.