Aleko Myrtollari, i cili plagosi me thikë bashkëshorten e tij mbrëmjen e së dielës, është vetëdorëzuar në polici.
Marjola Myrtollari u transportua këtë të martë në spitalin e Traumës pasi ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Që prej ngjarjes, ajo ka qëndruar në reanimacion, në gjendje të rëndë për jetën pasi ka marrë disa plagë në trup me thikë, ndërsa pak momente më parë u vendos të transportohej me helikopter drejt Tiranës, pasi gjendja e saj u përkeqësua më tepër dhe duhej mjekim i specializuar.
Ngjarja u shënua, mbrëmjen e së dielës, ku Aleko Myrtollari pas një debati për motive xhelozie, plagosi me thikë bashkëshorten e tij Marjola, nënën e 3 fëmijëve.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur më datë 04.06.2023, në lagjen nr. 10, Korçë, ku shtetasi A. M., 46 vjeç, në banesë, tentoi të vriste me mjet prerës (thikë) bashkëshorten e tij shtetasen M. M., e cila aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë, kanë vijuar kontrollet e pandërprera me qëllim kapjen e autorit të ngjarjes.
Si rezultat i presionit të Policisë, rrethimit të zonës dhe pamundësisë së ikjes së tij, mbrëmjen e sotme, shtetasi A. M., është vetëdorëzuar në Polici.
Në vijim të veprimeve specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë, bënë ndalimin e 46-vjeçarit, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.