Plagosja e një efektivi të policisë mbrëmjen e së mërkurës në Tiranë, ka ngritur në këmbë të gjithë Policinë e Shtetit. Policia ka arritur të identifikojë autorin e dyshuar të kësaj ngjarje të rëndë, Klerent Bozhanaj, 42 vjeç, dhe është vënë në kërkim të tij me forca të shumta policore që përfshijnë Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, Patrullat e Përgjithshme të mbështetura nga RENEA, të cilat kanë blinduar kryeqytetin.
Nëpërmjet një operacioni masiv policia po vijon ndjekjen dhe kontrollin e zonës, për kapjen e personit të armatosur, shtetasit Klerent Bozhanaj, 42 vjeç, që plagosi punonjësin e Policisë, inspektor Edlir Alleshi.
Paralelisht me kërkimin masiv nga ana e uniformave blu në disa zona në Tiranë, Policia e Shtetit kërkon edhe bashkëpunimin e qytetarëve, si dhe apelon që kushdo që ndeshet me të të bëjë kujdes, pasi autori i dyshuar i ngjarjes është i armatosur. Në çdo rast ata duhet të njoftojnë menjëherë shërbimet e Policisë.
“DVP Tiranë fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 20000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 0694111546, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi.”- apelon Policia e Shtetit.
Një efektiv i forcave “Shqiponja” mbeti i plagosur me armë zjarri të mërkurën në Tiranë. Nëpërmjet një njoftimi, Policia bëri të ditur se ngjarja u regjistrua në lagjen “Kinostudio”, në rrugën “Hysen Xhura”, ku një patrullë e forcave “Shqiponja” ishte vënë në ndjekje të një personi që qarkullonte me armë zjarri, i identifikuar si Klered Bozhani.